Në qarkun e Durrësit, në bashkitë Durrës, Krujë dhe Shijak pritet të nisë procesi i votimit në 481 qendra votimi. Qendrat e votimit hapen në orën 07.00 dhe mbyllen në orën 19.00.

Nga këto, numrin më të madh e ka bashkia Durrës me 335 qendra votimi, bashkia Shijak me 54 qendra votimi dhe bashkia Krujë me 92 qendra votimi.

Në të gjithë qarkun votojnë 359.852 qytetarë, të cilët do të nxjerrin në Kuvendin e ardhshëm 14 mandate deputeti.

Në zgjedhjet e vitit 2017, më shumë mandate deputeti mori PS, plot 8 mandate, PD mori 4 mandate dhe LSI 2 mandate.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit do të duhet të votojë për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit do të identifikohet nga një numër e jo emri i tij.

Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.

Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër.