Policia “ngel” në klasë, nuk arrin të zbardhë vrasjet e bujshme që kanë tronditur qytetin dy muajt e fundit

Ndonëse një nga detyrat e policisë mbetet parandalimi i vrasjeve dhe zbardhja e tyre për të rritur përqindjen e zbulueshmërisë, deri tani mund të thuhet me siguri që policia “ka ngelur në klasë”.  Shifrat alarmante të numrit të vrasjeve, por dhe ulja e forcës zbuluese, bien në sy pa pasur nevojë të bëhet shumë analizë.  Madje, edhe ato vrasje të zbardhura nuk u përkasin atyre ngjarjeve të bujshme, që pavarësisht insistimit të vetë policisë, por edhe të politikës, mbeten ende të pazbardhura. Vrasja më e fundit e tipit mafioz është ajo e  biznesmenit 35 vjeçar Gentian Zguri (Gashi), i cili u ekzekutua me një plumb në kokë më 12 tetor, vetëm 100 metra larg qendrës së Durrësit në një nga lagjet më të frekuetuara të qytetit, atë numër 4. Pikërisht mbi autorin apo motivin e vrasjes së 35 vjeçarit nga Tirana, policia ende nuk ka një të dyshuar, ndërsa po heton në të gjithë pistat e mundshme, përfshirë dhe pistën e hakmarrjes. Pista e hakmarrjes nga ana e policisë është ngritur referuar aktivitetit të mëparshëm të biznesmenit, pasi njihej si person me precedent kriminal; më parë ai ishte dënuar nga shteti italian për trafikim lëndësh narkotike. Por kjo nuk mbetet e vetmja vrasje e pazbardhur për uniformat blu të qytetit bregdetar. Tre  javë më parë, para vrasjes së fundit dhe pikërisht më 25 shtator,  në vendin e quajtur ish-reparti ushtarak në Currila u konstatua një automjet tip Opel Corsa ngjyrë vishnje me targa të Tiranës në gjendje të djegur, brenda së cilit gjendej trupi i pajetë i shtetasit Isa Çopa, oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës.

Për ngjarjen në fjalë policia ngarkoi specialistët më të mirë të hetimit të krimit, prokurorinë e rrethit Durrës si dhe ekspertë të laboratorit kriminalistik dhe ekspertë mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e  ekzaminimeve të nevojshme në funksion të zbardhjes së plotë të ngjarjes. Nisur nga provat dhe dëshmitë e para të mbledhura nga ana e hetuesve të cështjes, vetëm 10 orë pas konstatimit të trupit të pajetë, policia doli në një deklaratë për mediat ku tha se Isa Çopa është vetvrarë. Po versioni i policisë nuk zgjati shumë, pasi mjekët ligjore pohuan se Çopa ishte vrarë me mjete të forta, duke hedhur dyshime të forta mbi ekzekutimin e mundshëm të oficerit të SHISH-it. Një tjetër  ngjarje tepër e rëndë për opinionin publik por edhe për vetë policinë e Durrësit kishte ndodhur më herët dhe pikërisht më 13 shtator. Bëhet fjalë për vrasjen e volejbollistit, Juxhin Guza, 24 vjec, i cili u qëllua plot 4 herë me thikë , në lagjën numër 5 Durrës, vetëm pak metra larg banesës së tij. Nga ana e policisë nisën hetimet në mënyrë të mënjëhershme, por provat e mbledhura në vendngjarje dhe dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët, përfshirë këtu dhe të afërm të viktimës, nuk kanë qenë të mjaftueshme për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë apo zbardhjen e motivit të vrasjes. Po në të njëjtën mënyrë misterioze një vit më parë, ashtu sikurse biznesmeni nga Tirana Gentian Zguri, është ekzekutuar në sheshin Pranvera një tjetër i ri; bëhet fjalë për Mario Currin, 18 vjec. Ky i fundit, një personazh i njohur, për shkak se ishte pjesë e familjeve mafioze të qytetit të Durrësit,  u qëllua nga persona ende të paidentifikuar. Pikërisht ditën që ndodhi vrasja policia tha se ishte afër zbardhjes së ngjarjes, por nuk mundi t’i gjejë dot autorët. 

Në të gjitha rastet policia pretendoi se kishte të dhëna në lidhje me zbardhjen e këtyre ngjarjeve, por më pas nuk rezultoi asgjë. Të tjera vrasje që nuk kanë ende një autor të ndodhura në dy vitet e fundit janë edhe ekzekutimi i Naim Talit, roje e fabrikës së çimentos Fushë Krujë,  Ardian Kadiut, Shyqyri Deliallisit, biznesmen e Arben Dukës.  Për të gjitha ngjarjet e rënda, refreni gjithmonë ka qenë: “po zhvillohen hetime intensive, shumë shpejt do të kapen autorët”, por kjo gjë rrallë ka ndodhur, të paktën jo për vrasjet e bujshme. Pikërisht për vrasjet e lartëpërmenduara, të paktën për dy vitet e fundit  thuhet se policia e Durrësit ka shënuar  regres, po t’i krahasojmë këto me forcën zbuluese të premtuar e të kërkuar. Veç këtyre fakteve, ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me ngjarjet e bujshme. Pothuajse të gjitha vrasjet e bujshme, duke filluar që nga personazhet që i përkisnin familjeve mafioze,  jetës sociale, apo edhe krimit, nuk janë zbardhur.  Sipas të dhënave, policia ka arritur të zbardhë vetëm vrasjet, që në të shumtën e kohës kanë ardhur nga konflikte banale, çështje pronësie apo edhe brenda familjes, duke mos mundur të dalë mbi krimin, përsa u përket vrasjeve mafioze. E njëjta situatë për policinë paraqitet edhe për muajin tetor, nëntor.  Deri tani, kanë ndodhur disa krime të rënda, por ato vazhdojnë të mbeten të pazbardhura dhe së shpejti do të futen në arkiv për t’iu shtuar shumë dosjeve të vjetra, të pluhurosura gjatë viteve.