Prej dy ditësh ka nisur krasitja e rëndë e rrapave shumëvjeçarë në rrugën “Kasem Durrës”, tek ish-rajoni i policisë Durrës.

Ky aks që ndan lagjet nr.5 dhe nr.6 të qytetit ka në të dy anët e tij pemët shtatlarta, shumë prej të cilave kanë një moshë më shumë se gjysëm shekullore.

Në fund të muajit tetor, një pemë ra mbi një automjet të parkuar në anë të rrugës, duke i shkaktuar dëme të shumta materiale.

Gjatë këtyre ditëve, punonjësit e ndërmarrjes “Rruga” kanë nisur krasitjet e rrapave përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi, pasi në ditën pas rënies së pemës u krasitën vetëm pemët më të rrezikuara.

Pemët dekorative shumëvjeçare në këtë aks kanë nevojë për krasitje dhe mirëmbajtje, pasi mund të rrezikojnë dhe jetën e banorëve, sepse shumë prej tyre janë anuar në drejtim të rrugës.

Krasitje e pemëve shumëvjeçare po realizohet paralelisht edhe në rrugën “Aleksandër Goga”.