Rrapat 60-vjeçarë në rrugën “Kasem Durrësi”, tek ish-rajoni i policisë, janë kthyer në rrezik për sigurinë e banorëve të zonës dhe bizneseve që ushtrojnë aktivitetin aty.

Mbrëmjen e së enjtes njëra prej pemëve dekorative shumëvjeçare ra mbi një makinë, duke shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë, dëmtime ka pësuar edhe një pusetë, që ndodhej ngjitur me rrapin, që tashmë është prerë dhe larguar nga vendngjarja.

Dëmtime të shumta shfaqen përgjatë gjithë gjatësisë së trotuarit, pasi dhe rrapat e tjerë përbëjnë rrezik për shkak të peshës dhe gjatësisë së tyre.

Kjo është hera e dytë që brenda 24 orëve në Durrës rrëzohen pemë shumëvjeçare për shkak të motit të keq, që goditi qytetin bregdetar.

Pasditen e së mërkurës një plep rreth 50-vjeçar u rrëzua në sektorin Iliria, në zonën e plazhit duke shkaktuar bllokimin e njërës korsi.

Sipas qytetarëve, pemët dekorative shumëvjeçare kanë nevojë për krasitje dhe mirëmbajtje, pasi mund të rrezikojnë dhe jetën e banorëve, sepse shumë prej tyre janë anuar në drejtim të rrugës.

Për të evituar përsëritjen e episodeve të ngjashme sektori i gjelbërimit në Ndërmarrjen Rruga pritet të nisë nga mbrëmja e sotme krasitjen e rëndë të rrapave shumëvjeçare, nga fillimi i rrugës “Kasem Durrësi” deri tek kryqëzimi i dytë tek aksi “Hajdar Dushi”.

Këto burime konfirmojnë për “DurrësLajm” se ndërhyrja do të realizohet gjatë orëve të natës, për të mos bllokuar qarkullimin e mjeteve. Rrapa shumëvjeçarë që kanë nevojë për krasitje janë dhe ato pranë Filialit të Postës Shqiptare, por aty do të ndërhyhet në një moment të dytë.

M.B.