Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, hodhi akuza pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, duke theksuar se qeveria, me bllokimin e pagave të magjistratëve, e ka futur sistemin në kolaps.

“Zbatimi i vendimeve të GJK. Është fakt që sistem i drejtësisë është futur në kolaps për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe mosveprimit të Kuvendit për të zbatuar një vendim të GJK kanë disa ditë që nuk kanë bazë ligjore për të marrë pagat e tyre. Cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve diçka të pavërtetë. Kemi dëgjuar Kryeministrin se kompetencën për të propozuar pagat e ka Këshilli i Ministrave dhe të drejtën për të miratuar pagat e ka Kuvendi i Shqipërisë.

Dua të informoj se, sot që flasim Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë pagat apo çështje që prekin buxhetin e shtetit në raport me një sistem tjetër. Këshilli i Ministrave do duhej të kishte përmbushur këtë përgjegjësi të tij në raport me pushtetin gjyqësor. Fondet buxhetore menaxhohen nga Këshilli i Ministrave”, u shpreh ai.

Bardhi tha se nisma e dy deputetëve socialistë bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji i propozuar nga dy deputetë socialistë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses. Nuk kanë aftësinë për të përllogaritur pagat e sistemit gjyqësor, as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Kushtetueses. Vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim, prandaj duhej të bashkëvepronte Këshilli i Ministrave me Kuvendin. Sot që flasim, në njërën nga gjykatat e vendit administrata nuk po ofron shërbime për qytetarët. Sistemi gjyqësor futet në kolaps”, tha Bardhi.