Sot mbushen 15 muaj nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019. Problematikat e Rindërtimit të Durrësit post-tërmet janë të shumëllojshme e disa prej tyre ende nuk kanë marrë zgjidhje, ndërsa në raste të tjera zgjidhja që ofrohet tingëllon deri diku absurde.

Më 18 nëntor 2020, disa ditë para 1-vjetorit të fatkeqësisë natyrore, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj u ndal në një pallat 5-katësh në lagjen nr.18 të Durrësit, në rrugën “Kristo Sotiri”. Bëhet fjalë për pallatin me nr.901.

3 muaj më parë, ministri Ahmetaj deklaronte para kryeministrit dhe banorëve të mbledhur poshtë pallatit (video në fund të shkrimit) se “Pas rivlerësimit ky pallat ka dalë DS5, por i kam kërkuar kryetares së bashkisë që të bëhet një tjetër riinspektim që të jemi të sigurt nëse do ta kalojmë për rikonstruksion apo për prishje.”

Me vendim të Këshillit Bashkiak, pallati në fjalë do të demolohet, pasi akt-ekspertiza e fundit (të cilën banorët nuk e disponojnë megjithëse e kanë kërkuar pranë bashkisë dhe Institutit të Ndërtimit) ka konkluduar se godina 5 katëshe e para viteve 90 duhet shembur.

Deri këtu duket se procesi ka vijuar normalisht, sipas të gjitha fazave që duhet të kalojë. Por nga kontakti që banorë të këtij pallati kanë pasur me redaksinë e “DurrësLajm” kemi mësuar se 45 familjet kanë aplikuar në shkurt tek “Shtëpia ime” dhe kanë përfituar grantin e rindërtimit në vlerën 2.5 milionë lekë të vjetra, që përkon me shkallën e dëmit DS2.

Akt konstatimi i datës 12.12.2019 (faksimilja në fund të shkrimit) që i është bërë pallatit e ka nxjerrë godinën me dëme të shkallës DS2. Banorët janë trajtuar gjatë gjithë kësaj periudhe me bonus qiraje, i cili u është kaluar deri në muajin janar 2021, ndërkohë që kanë përfituar dhe grantin.

Shumë prej tyre i kanë shpenzuar këto para për riparimin e dëmeve të shkaktuara në apartamente, ndërkohë që tani marrin vesh që pallati do t’u shembet për t’u ndërtuar nga e para.

Pyetjet që lindin në këtë rast janë disa:

  1. Pse ju kalua banorëve granti i rindërtimit, kur pallati do t’i nënshtrohej një akt-ekspertimi të ri?
  2. Pse vazhdonin të trajtoheshin banorët me bonus qiraje, ndërsa i kishin rregulluar apartamentet dhe banonin në pallat?
  3. Pse u lejuan banorët të bënin riparimin e apartamenteve, kur pallati dyshohej se mund të kishte dëme më të mëdha sesa ato që kishte përcaktuar akt-konstatimi?
  4. Pse u lejuan 45 familjet të vazhdonin të banonin në pallatin që dyshohej të paktën që nga muaji nëntor 2020 se kishte shkallë dëmi DS5, kur Rama dhe Ahmetaj e panë nga afër atë?
  5. Pse nuk u është vënë në dispozicion banorëve akt-ekspertiza e fundit e thelluar e bërë nga inxhinieri i Institutit të Ndërtimit, Dhimitër Papa, akt-ekspertizë për të cilën foli ministri Ahmetaj 3 muaj më parë?
  6. Në rast të një tërmeti tjetër të fortë që mund të rrezikonte 45 familjet që banonin në godinën 5 katëshe, kush do të mbante përgjegjësi për jetët e humbura?

“Janë 45 familje dhe nëse do të shembet do të bëjmë një sistem të pikëzuar për të sjellë në pallatin që do të rindërtohet edhe banorë të tjerë që duan të shpërngulen”,- i tha Ahmetaj kryeministrit 3 muaj më parë.

Nëse i referohemi deklaratës së ministrit të Rindërtimit, godina e re do të strehojë jo vetëm familjet ekzistuese, por edhe të tjera të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit.

Nga rreth 40 pallate që janë shembur në bashkinë Durrës për t’u rindërtuar nga e para, puna ka nisur në vetëm 2 prej tyre.

M.B.