Kur po mbushet një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ende ka pallate në Durrës, banorët e të cilëve nuk dinë për fatin që do të ketë shtëpia e tyre.

Gjatë inspektimit të radhës së kryeministrit Rama, që për hir të së vërtetës çdo 2-3 ditë zbarkon në Durrës, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj i flet për një pallat 5 katësh, në lagjen nr.18 për të cilin pritet një rinspektim, pasi ende nuk është vendosur nëse do të rikonstruktohet apo do të prishet e ndërtohet nga e para.

“Pas rivlerësimit ky pallat ka dalë DS5, por i kam kërkuar kryetares së bashkisë që të bëhet një tjetër riinspektim që të jemi të sigurt nëse do ta kalojmë për rikonstruksion apo për prishje. Janë 45 familje dhe nëse do të shembet do të bëjmë një sistem të pikëzuar për të sjellë në pallatin që do të rindërtohet edhe banorë të tjerë që duan të shpërngulen”,- i tha Ahmetaj kryeministrit.

Jashtë pallatit të dëmtuar rëndë ishin mbledhur edhe banorë, me të cilët Rama zhvilloi një bashkëbisedim.

“Do bëhet edhe një analizë e fundit dhe ose do të bëhet rikonstruksion i thellë ose do të bëhet nga e para dhe do të bëheni me shtëpi të re. Në rast se do të bëhet nga e para (ndërhyn Ahmetaj dhe i thotë që do të bëhet po këtu) do bëhet këtu, pa lujt vendit, secili po aty ku e ka, në po atë kat, të njëjtën hapësirë, ndoshta dhe pak më shumë po këtë do ta shikojmë dhe ndërkohë do të vazhdoni të merrni bonusin derisa të bëhet e re. Duhet pritur edhe përgjigja e fundit nga specialistët”,– u tha Rama banorëve.  

Megjithëse pallatit në fjalë i janë bërë 2 aktekspertiza, ekspertët ende nuk kanë vendosur se çfarë fati do të ketë. Ndoshta inspektimi i ri do t’i bindë më në fund ekspertët dhe ministrinë se çfarë fati do t’i rezervojnë godinës 5 katëshe.