DURRËS, 11 dhjetor 2014 – Amerikanët e kanë marrë seriozisht luftën kundër drogës , duke ndërgjegjësuar deri dhe fëmijët e moshës 12-13 vjeç, teksa ulin për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis uniformave blu dhe arsimit.
Mësohet se të enjten, më 11 dhjetor 2014, në mjediset e drejtorisë së policisë së shtetit të qarkut (DPQ) të Durrësit u zhvillua një takim midis përfaqësuesve të Mmisionit ICITAP, Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) dhe DPQ-së në kuadër të zbatimit të programit të edukimit dhe ndërgjegjësimit për drogën dhe substanca të tjera të rrezikshme me nxënës të klasave VI të shkollave 9-vjeçare.
Ka një marrëveshjes bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për zbatimin e programit “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme”, në partneritet dhe me mbështetjen e ambasadës së SHBA-ve dhe programit ICITAP, të atashuar pranë drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Është një nga programet më të qenësishme të bashkëpunimit që zhvillon Policia e Shtetit në kuadër të filozofisë së policimit në komunitet dhe misionit të Policisë së Shtetit, “Bashkë për një komunitet më të sigurt” ku gjatë vitit mësimor 2013-2014, ky program ka pasur një vizibilitet të lartë në komunitetin e nxënësve dhe prindërve në shkollat e qytetin të Durrësit.
Ky program është zhvilluar me sukses edhe gjatë vitit mësimor 2013-2014, në klasat VI të disa shkollave 9-vjeçare të qytetit Durrës, dhe konkretisht nga grupet e përbashkëta të mësimdhënies janë trajtuar tema si “Çfarë është alkooli dhe dëmet që sjell ai” në 10 shkolla 9-vjeçare në 29 klasa VI, me pjesëmarrjen e 857 nxënësve; “Drogat pararendëse, çfarë është duhani” në 10 shkolla 9-vjeçare, në 30 klasa VI, me pjesëmarrjen e 853 nxënësve; “Çfarë është marijuana, dëmet që i shkakton shëndetit” në 10 shkolla 9-vjeçare, në 30 klasa VI, me pjesëmarrjen e 850 nxënësve.
Policia mendon që gjatë vitit mësimor 2014-2015 dhe në vazhdim, zbatimi i këtij programi të realizohet edhe më gjerë, në shkollat 9-vjeçare të rrethit të Krujës dhe zonës së Shijakut.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





