DURRES – Festat e fundvitit, krahas anës festive për qytetarët, janë mjaft impenjative për efektivët e policisë që duhet të garantojnë rendin dhe qetësinë publike. Për vetë specifikën që ka Durrësi si qytet port, në këtë fundvit pritet që të shtohet mjaft fluksi i udhëtarëve në këtë pikë të kalimit kufitar.

Për të garantuar një shërbim sa më të shpejtë dhe cilësor kundrejt gjithë udhëtarëve si dhe për të përballuar fluksin e madh në hyrje-daljet, në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit do të ketë shtim të personelit të trajnuar policor si dhe do të dyfishohet numri i sporteleve të Policisë Kufitare.

Në portin e Durrësit do të funksionojnë 40 sportele të tilla duke garantuar kështu përshpejtimin e proceduravenë përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve gjatë ditëve të fluksit.

Në një komunikatë për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës thekson se rëndësi e veçantë në këtë moment do t’i kushtohet sidomos etikës policore, duke synuar një prezencë sa më korrekte në shërbim, sikurse edhe një komunikim adapt me qytetarët.

Në të njëjtën kohë policia, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, bën të ditur se ka marrë masa të veçanta për të parandaluar kalimin e kufirit nga persona të kërkuar nga organet e drejtësisë. Dihet që periudhat e festave shfrytëzohen nga persona me precedentë penale për të hyrë apo dalë nga vendi, apo nga persona me dokumenta të falsifikuara që tentojnë të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin. 

Nisur nga vitet e kaluara, kur në natën e ndërrimit të viteve janë verifikuar raste të ndryshme të personave të plagosur nga fishekzjarret efektivët blu janë duke ushtruar kontrolle të shumta mbi tregtimin e përdorimin e lëndëve piroteknike.

Policia rrugore

Si çdo vit tjetër pritet që në këto ditë të fundit të këtij viti dhe në ditët e para të vitit 2013, trafiku në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të Durrësit si dhe brenda në qytet të jetë i rënduar. Për këtë arsye policia rrugore ka hartuar një plan masash për të parandaluar aksidentet rrugore.

Shërbime të përforcuara policore do të jenë në kryqëzimet kryesore si dhe në akset nacionale, ndërkohë që shkelësit e Kodit Rrugor do të ndëshkohen rreptësisht për mos zbatimin e rregullave.

Një masë e veçantë e Policisë Rrugore lidhet me natën e ndërrimit të viteve, për verifikimin e drejtuesve të automjeteve për përdorim të alkoolikëve apo psikotropëve. Policia rekomandon evitimin e përdorimit të pijeve alkoolike nga ana e drejtuesve të automjeteve, pasi mund të bëhen shkaktarë të aksidenteve rrugore.

Numrat në shërbim të qytetarëve

Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve për problmeatika të caktuara, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka vënë në  dispozicion 6 linja telefonike pa pagesë 126 & 129, AMC, Eagle dhe Vodafon si dhe numri telefonik fiks 052222266.

 
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve:

– Për zbatim të rregullave të qarkullimit nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

– Për mbikëqyrje të fëmijëve gjatë përdorimit të fishekzjarreve.

– Për përzgjedhje të biçikletave apo mjeteve të tjera alternative kundrejt mjeteve motorrike, veçanërisht përgjatë ditëve të festës, në funksion të mosbllokimit të rrugëve në afërsi të tregjeve.

– Për mosbllokim pa arsye të linjave të gatshme telefonike të Policisë.

– Për orientim drejt shërbimeve të afërta policore apo drejt numrave të gatshëm telefonike të Policisë në rast problemi, dhe veçanërisht për mosaplikim të vetëgjyqësisë në zgjidhjen e problemeve.