Dy kundërvajtjet / Nuk vihen NIPT-et e konkurruesve dhe shndërrohet emri i fituesit nga ELENI KORONAKI në D. KORONAKIS S.A.

DURRËS, 13 dhjetor 2014 –  Drejtoria ekzekutive e ndërmarrjes publike / shtetërore “Autoriteti Portual Durrës” (APD) njoftoi, më 9 dhjetor 2014, se, më 24 nëntor 2014, ishte lidhur kontratë me firmën greke të Pireut “D. KORONAKIS” S.A për blerje litarësh çeliku Ø 10-36, për elektrovinçat, me vlerë gjithsej 68 988 euro. 

Për tenderin e hapur e të zhvilluar më 30 tetor 2014, për litarët e elektovinçave ishte vënë në dispozicion fondi limit prej 14 227 200  lekë pa tvsh, nga të ardhurat e vetë institucionit.

Në garë morën pjesë 4 konkurrues, por APD-ja, që ka bërë me qindra tenderë, nuk ka zbatuar ligjin ku kërkohet vënia e NIPT-it, pasi tri firmat shqiptare, me emrat e paraqitur nga komisioni i vlerësimit të ofertave, s’figurojnë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Ja lista e pjesëmarrësve sipas APD-së:

EKSPO SISTEM SH.P.K me vlerë të ofruar 12 772 000 lekë. 

ELENI KORONAKI, me vlerë të ofruar         9 638 313 lekë. 

M.B.KURTI SH.P.K, me vlerë të ofruar        11 802 400 lekë. 

START-CO SH.P.K, me vlerë të ofruar         13 939 200 lekë. 

Normalisht, për ofertën me vlerë më të ulët u klasifikua e para ELENI KORONAKI, me vlerë të ofruar 9 638 313 lekë (me 67,7 për qind të fondit limit). Por nuk është aspak serioze për një administratë me përvojë të mos bëjë renditje sipas vlerës – nga më e ulëta te më e larta.

Po ashtu bie në sy fakti se “luhet” me emrin e firmës: më 3 nëntor 2014 APD-ja e cilëson konkurrentin si ELENI KORONAKI (pa “S” në fund), më 9 dhjetor 2014, e bën D. KORONAKIS S.A. Nga sajti i firmës mësohet se znj. Eleni Koronaki(s) është bashkëthemeluese, në vitin 1967, e firmës së njohur të prodhimit të litarëve prej çeliku “D. Koronakis” S.A., por kjo gjë nuk e përligj gafën, për të mos thënë, kundërvajtjen ligjore. Të paktën, në buletinin e agjencisë së prokurimit publik të ishte bërë sqarimi për arsyet e shndërrimit të emrit zyrtar të fituesit të tenderit.

Këtë gjë e di mirë dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së, inxhinier dhe administrator i shkëlqyer dhe me përvojë të madhe si në Shqipëri dhe në Pire të Greqisë (ku ka punuar në “Hilo- Lines”, “Sea-Coral”, “Hydrofoil`s & Cargo Ship”), ish-kryetar i degës së PS në shtetin helen, z. Artjan Qirici.

/th.m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/