DURRES, 1 maj 2013- Pusetat pa kapakë në rrugët e qytetit të Durrësit rrezikojnë qytetarët si dhe drejtuesit e automjeteve të cilët kalojnë në çdo orë të ditës. Mjafton një vëzhgim i shpejtë përgjatë rrugës "Kristo Sotiri" në lagjen numër 18, dhe konstaton se janë vjedhur mbi 40 kapakë pusetash. Gjatë kalimit të tyre në këtë rrugë kryesore të qytetit bregdetar, drejtuesit e automjeteve por edhe këmbësorët duhet të jenë tepër të kujdesshem, pasi në këto puseta pa kapak mund të biesh dhe pasojat mund të jenë tepër të rënda. Qytetarët nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa një përkujdesje për rrugët dhe këto gropa të rrezikshme të kenë një kapak përsipër.
Frenimi i këtij fenomeni nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve është i pamundur, ndaj drejtues të saj kanë vendosur të bëjnë zëvëndësimin e kapakëve të hekurt me ato plastik.
Tonin Doda, inxhinier pranë kësaj ndërmarrje, shprehet se tenderi për zëvëndësimin e pusetave të hekurt me plastikë është drejt përfundimit. Sipas tij, kostoja për blerjen e një pusete plastike kap shifrën e 35 mijë lekëve, tre herë më e shtrenjta se kapakët e pusetave të hekurt. Kjo situatë, shqetësuese mbetet jo vetëm për qytetarët, por edhe për drejtorinë e ujësjellës kanalizimet, ku në këto kushte pusetat mbushen me mbeturina. Ndaj vendosja e një kapaku plastik, e shoqëruar me kod e çelës, sipas Dodës do ti japë fund problemit shumëvjeçar, atë të vjedhjes së kapakëve.
Të gjitha vjedhjet janë denoncuar në polici dhe në prokurorinë e rrethit, por ky fenomen sa vjen e bëhet më problematik. Persona të papërgjegjshëm, i vjedhin kapakët metalik,të cilët i shesin më pas për skrap. Një kapak metalik kushton minimumi 8 mije leke, shumë kjo jo e vogël për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila duhet të paguajë një kosto të lartë, sa herë që kapakët vidhen.
Si kjo rrugë, gjen me dhjetra në qytetin bregdetar, ku kapakët e pusetave mungojnë prej kohësh.
/e.a. Agjensia e Lajmeve "Dyrrah"/





