DURRES– Konfliktohet me një person, plagos dy të tjerë. Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 24 vjeçarin Fation Nasufi, pasi sipas burimeve policore i riu në fjalë ka qëlluar dy ditë më parë me automatik ndaj një 28 vjeçari. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë Durrës bëjnë të ditur se dy të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas grindja ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Konflikti është regjistruar në orët e vona të natës në lagjen nr.16 të qytetit bregdetar dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur lehtë dy shtetas të tjerë, 25 dhe 50 vjeç.
“Dyshohet se shtetasi Fation Nasufi, rreth orës 22.50, në lagjen nr. 16 Durrës, pas një konfliki për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik shtetasin S.B., 28 vjeç, banues në Durrës, i cili udhëtonte me mjetin e tij tip Renault me targa AA950 CC. Për pasojë ka mbetur i plagosur në këmbë shtetasi R.M., 25 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu ky shtetas dyshohet se ka goditur me qytë arme duke i shkaktuar plagë të lehta në kokë shtetasit V.B., 50 vjeç, banues në Durrës”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore janë larguar për në shtëpitë e tyre.
Pas dokumentimit të ngjarjes, pyetjes së dëshmitarëve të pranishëm dhe mbledhjes së gëzhojave të armës së zjarrit, policia ka shpallur në kërkim 24 vjeçarin Nasufi.
I riu akuzohet për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.