DURRES – Paraqitet e rënduar situata në qarkun e Durrësit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë shkaktuar përmbytje shtëpish dhe rrëshqitje dheu në komuna të ndryshme.
Mëngjesin e sotëm prefekti i qarkut, Genc Alizoti, ka urdhëruar zhvendosjen e 7 familjeve të tjera nga zonat e përmbytura në Katund të Ri.
Alizoti ka urdhëruar zhvendosjen e këtyre familjeve, pasi shtëpitë e tyre rrezikojnë të përmbyten dhe mund të vihen në rrezik edhe jetët njerëzore.
Ndërkohë autoritetet janë në pritje të largimit të ujit për të llogaritur vlerën e dëmëve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit.
Një natë më parë u strehuan pranë Kovaleshencës, në Zonën e Plepave, 4 familje nga bashkia e Shijakut, pasi shtëpitë e tyre u përmbytën si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen.
Ndërkohë tre shtëpi u shembën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në komunën Gjepalaj. Ende nuk dihet se ku do të sistemohen familjet e mbetura të pastreha.
Gjendja ka qenë e vështirë edhe në lagje të qytetit, ku niveli I ujit arriti në disa cm dhe shkaktoi vështirësi të mëdha në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
Shirat e dendur të dy ditëve të fundit kanë krijuar një situatë problematike edhe në komunën e Golemit në Kavajë, ku dhjetëra shtëpi, një ditë më parë u përmbytën nga uji që arriti nivelin deri në 1 metër.