*Policia: Nikollaq Liçi, xhepist me nam që nga koha e Enver Hoxhës

13 nëntor 2015 – Burimet policore pohuan për “DurrësLajm” se Nikollaq Liçi, nga Kuçova, banues në Durrës,  i skeduar nga policia që në moshën 15-vjeçare si një ndër xhepistët më të mëdhenj në Shqipëri, është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi tentoi të bëjë “xhepin” e fundit, ndaj një qytetari që priste në radhë për të kryer analizat shëndetësore në Poliklinikën Qendrore.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë me dije se arrestuan në flagrancë 58-vjeçarin Liçi, i cili në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i vodhi portofolin 45-vjeçarit M.C, teksa ky i fundit po qëndronte në radhë në Poliklinikën Qendrore.

Qytetari me inicialet M. C kuptoi që ndërsa ishte duke mbajtur radhën, dikush i mori portofolin nga xhepi  pasmë i pantallonave. Pasi ktheu kokën, pikasi të moshuarin i cili në bashkëpunim me një person tjetër po ndanin paratë. 45-vjeçari e mbajti me forcë grabitësin derisa mbërriti policia, e cila i hodhi prangat, por bashkëpunëtori i tij u largua me një sasi parash të konsiderueshme.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 2350 Euro, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga hajduti që u bë “erë”.

Dëshmia: E kapa hajdutin dhe e mbajta derisa mbërriti policia

“Kam qenë në radhë për të bërë analizat se do të dilja në Kemp. Shkova në Poliklinikën Qendrore, aty kam mbajtur radhën për të bërë analizat që më kërkohen. Sa tek zemra, mushkëritë, të gjitha. Fatmirësisht e kapa dhe e mbajta, derisa mbërriti policia. Xhepistët janë të tmerrshëm. Aty kishte shumë radhë, dhe aty e shfrytëzoi rastin, ku ka njerëz në radhë që janë të lodhur dhe nuk e kanë mendjen”, ka dëshmuar midis të tjerash në polici shënjestra e sulmit. 

Hetuesit: E kemi arrestuar me dhjetëra herë, dhe ia ka dalë të lirohet nga burgu

Për hetuesit e policisë së Durrësit, Liçi është një ndër personazhet më të njohur si xhepist në të gjithë Shqipërinë. “E kemi arrestuar sa e sa herë, në flagrancë, dhe ia ka dalë të lirohet nga burgu. Së fundi ishte arrestuar tek zyrat e ZRPP-së në Durrës, pasi i kishte vjedhur 600 mijë lekë të vjetër një fermeri nga Sukthi. E panë në kamerat e ZRPP-së, që i kishte vjedhur portofolin kur qëndronte në radhë. Ka dalë nga burgu, pavarësisht se është përsëritës.

Ligji për hajdutët përsëritës e ka nga 3 deri në 5 vjet heqje lirie, por gjykatat tona e kanë kuptuar nga 3 deri në 5 muaj heqje lirie. Këta persona të rrezikshëm, vjedhin portofolat e qytetarëve, pasi i studiojnë që kanë para. Shënjestrat e tyre i ndjekin për disa ditë, ose kur dalin pasi kanë tërhequr paratë nga pensionet, nga bankat, nga bankomatet. Dhe në autobus apo në radhë i vjedhin, dhe nuk kuptohen”, thanë burimet policore.

Një prej tyre është edhe 58-vjeçari që ka hyrë me dhjetëra herë në burg, por që nuk ka vënë mend as në moshën e pleqërisë.

/K.H. portali DurresLajm/