·       LEVERDIA / Të marrësh “falë” boça pishash me… 200 lekë kuintali dhe kërpudha me..  2 500 lekë kuintali dhe t’i shesësh pastaj sa “frëngu pulën”!

17 shtator 2015 –  Më 23 shtator 2015 Drejtoria Rajonale e Shërbimit Pyjor Durrës zhvillon konkurrimin me ankand të hapur për prodhimet e dyta pyjore, shitjen e boçave të pishave mesdhetare. Konkurrimi bëhet në mjediset e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Pyjor Durrës, në lagjen “Sesere” Krujë. Ndër të tjera, pjesëmarrësit duhet të paraqesin plan për grumbullimin dhe rehabilitimin e objektit; deklarimin për stafin dhe të gjitha pajisjet për veprimtarinë që do të ushtrojë dhe ofertën financiare për 200 kv të mbyllur në zarf.

Në të vërtet ka kërkesa të shumta nga industria e ushqimeve dhe gatimeve për boça pishash. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Pyjor Shkodër ka zhvilluar një tender më 26 gusht 2015 për grumbullimin e prodhimeve të dyta pyjore (boça pishe, kërpudha) deri më 15 mars 2016. Firma durrsake “Alba-Pine” shpk ka qenë e vetmja në konkurrim dhe do të blejë dy sasi boçash pishe: 155 kv me vlerë 31 000 lekë dhe 174 kv me vlerë 34 800 lekë (200 lekë/kv!). Po ashtu do të blejë edhe 130 kv kërpudha me vlerë 325 000 lekë (2 500 lekë/kv!).

/th. m. DurresLajm/