·        Ujësjellës Kanalizime Durrës hap dhe 4 sportele të reja

·         Fill pas paralajmërimeve të Kryeministrit për nisjen e aksionit për debitorët si dhe arrestimin e atyre që kanë bërë ndërhyrje të kundërligjshme në rrjet ka nisur një fluks i madh qytetarësh për të shlyer detyrimet

DURRËS, 11 dhjetor 2014 – Paralajmërimi i Kryeministrit Edi Rama se do të ketë “gjueti” penale edhe ndaj hajdutëve të ujit, duke nisur nga të punësuarit në sektorin shtetëror, ka bërë që shumë durrsakë t’i vënë gishtin kokës dhe të vrapojnë për të likuiduar faturat e papaguara.

Të enjten, më 11 dhjetor 2014, ndërmarrja publike (e njësive të qeverisjes vendore) “Ujësjellës Kanalizime Durrës” (UKD) sha ka hapur 4 sportele të reja për të përballuar fluksin e qytetarëve që kërkojnë të paguajnë faturat e ujit të pijshëm, njoftoi zëdhënësi Aleks Kalemasi. Aktualisht në sektorin e shërbimit të klientit që gjendet pranë zyrave qendrore të UKD-së gjenden 5 sportele për pagimin e faturave, nga dy që kanë qenë më parë. Sporteli i katërt është hapur në zyrat e kujdesit të klientit e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) përballë portit.

Prej disa ditësh janë vënë re radhë qytetarësh që kërkojnë të paguajnë faturat e ujit të pijshëm, thotë Kalemasi. Përgjegjësja e sektorit të financës pranë UKD-së Stela Nenada është shprehur se, përveç sporteleve të reja të hapura më 11 dhjetor 2014, qytetarët që kanë fatura të prapambetura, mund t’i shlyejnë në çdo zyrë postare, në degët e bankave të nivelit të dytë si dhe në zyrat që UKD-ja ka në rrugën “Kumini” si dhe në zyrat pranë Elektrikut në lagjen nr 4.

Fluksi i qytetarëve ka nisur menjëherë pas paralajmërimeve për nisjen e aksionit për ndërprerjen e ujit të pijshëm për abonentët debitorë si dhe arrestimin e atyre që kanë bërë ndërhyrje të kundërligjshme në rrjet. Aksioni në fjalë do të nisë në muajin janar të vitit të ardhshëm me mbështetjen e policisë së rendit dhe strukturave të tjera të shtetit, thotë UKD-ja.

Drejtoria e UKD-së u bën thirrje të gjithë debitorëve të paguajnë faturat e ujit të pijshëm, pasi do të përballen me sanksione të ashpra që nga ndërprerja e furnizimit me ujë deri në kallëzime penale. UKD ka arritur që për periudhën tetor 2013-shtator 2014 të përmirësojë treguesit duke rritur arkëtimet me 21 për qind. Përmirësimi i treguesve në fjalë është arritur pa asnjë investim apo grant të drejtorisë së përgjithshme të ujësjellës kanalizime.

Deri tani debia e vjetër e shumës së faturave të papaguara të ujit të pijshëm ka arritur në 1 947 034 384 lekë (14 milionë euro), e cila nis nga janari i vitit 2008 dhe në vazhdim. Për shkak të shumës së madhe që abonentët i detyrohen UKD-së, kjo e fundit ka vetëm për këtë vit një faturë prej 456 206 486 lekë (3 milionë euro) të papaguar për energjinë elektrike të konsumuar.

/th.m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/