Prej një jave, nga data 27 shkurt 2019, struktura e posaçme për asgjësimin e materialeve të rrezikshme EOD (Explosive Ordnance Disposal) të batalionit të xhenios (reparti ushtarak 4040) në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura, është angazhuar në disa operacione për kontrollin, identifikimin dhe asgjësimin e municioneve luftarake. 

Kjo strukturë, në bashkëpunim me palombarët e Qendrës së Zhytjes të Forcës Detare dhe Policinë Ushtarake, ka bërë të mundur identifikimin dhe zhvendosjen e mbi 70 predhave luftarake të paplasura me peshë 2,7 tonë, me kalibër 85 dhe 100 mm, të cilat janë përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjetura në ujërat e zonës së Porto Romanos në Durrës.

Deri tani zhytësit dhe xhenierët kanë pastruar një zonë rreth 150 metra katror, njoftuan komanda e Forcës Detare në Plepa të Durrësit dhe Komanda Mbështetëse.

Më 8 mars 2019, në vendin e këtij operacioni të rëndësishëm për portin e karburanteve, ishte dhe zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiten i rangut I, Artur Meçollari, i cili falënderoi zhytësit për punën dhe sakrificat e tyre në këtë operacion të vështirë e me rrezik.
Operacioni do të vazhdojë deri në pastrimin e të gjithë zonës detare.

Th.M.