15 qershor 2015 –Vilat e plazhit të Durrësit, të ndërtuara në gjysmën e parë të shekullit të kaluar kanë mbetur si hirushe të vetmuara mes katrahurës ndërtimore në zonën bregdetare prej 3 km, nga sektori “Apollonia” deri në atë “Iliria”.
Krejt të pafuqishme për ta evidentuar vehten për arsye të makutërisë dhe fitimit të shpejtë, vilat që kanë mbijetuar mes pallateve gjithfarësh në plazhin e Durrësit nuk janë më shumë se sa 10-12.
Pamja e tyre na ndihmon ti rikthehemi edhe një herë periudhës dhe mënyrës se si ato u ndërtuan, në mos për tjetër, të paktën për të bërë një paralele (tashmë pa vlerë) me paaftësinë totale të vizioneve, që kanë dëshmuar administratat e 25 vjetëve të fundit në këtë territor.
 
80 vjet më parë, vizioni që u përmbys
 
Në fillim të shekullit të kaluar zona e plazhit klasifikohej si tokë bujqësore. Rëra më vlera mjaft kurative kishte pamjen e dunave të mbuluara me gjineshtra, ferra dhe bar. Rruga nacionale Durrës-Kavajë e shtruar me kalldrëm, në segmentin ura e Dajlanit-Plepa kalonte pikërisht aty ku sot ndodhet rruga e re moderne e me gjashtë korsi. 100 vjet më parë, kjo vijë do të shërbente për të ndarë konvencionalisht zonën turistike nga toka bujqësore.
Në mesin e viteve 1930 u kërkua edhe plani rregullues, zbatimi i të cilit e ktheu plazhin e Durrësit para luftës së dytë botërore në një qendër pushimi dhe argëtimi veror (aq sa mundësonte koha), për familje të shumta shqiptare si dhe për të huajt që ndodheshin me punë apo mision në vendin tonë. Oborri mbretëror, në mesin e viteve 1930 ngarkoi Bashkinë e Durrësit dhe një grup specialistësh për hartimin e planit rregullator për plazhin. 
Plani përfshinte të gjithë territorin e plazhit nga rruga nacionale deri në bregdet me një gjërësi nga 200-800 metra dhe me gjatësi prej mbi 3 km, sipërfaqja e cila në dokumentat e kohës emërtohej thjesht Banjat. Në arkivin qëndror të ndërtimit si dhe në administratën vendore disponohen dokumente dhe harta të kësaj periudhe, ku shihet ndarja në 300 parcela me sipërfaqe 400 dhe 500 metra katrorë secila dhe të renditura në katër radhë nga bregu i detit deri në rrugën nacionale.
Bashkia e Durrësit ua shiste parcelat pronarëve, që sipas planit urbanistik duhet të ndërtonin vetëm në gjysmën e sipërfaqes së blerë duke i dhënë përparësi gjelbërimit. Sipas një dokumenti të kohës deri në vitin 1936 në zonën turistike të Banjave ishin ndërtuar 82 vila 1-2 katëshe, vlera e ndërtimit të të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari. Mendoni se sa para hynin në arkën e bashkisë nga taksa e ndërtimit.
Banesat sipas planit rregullator vijuan intensivisht deri në prag të evakuimit të qytetit nga forcat naziste në vitin 1943, ndërsa më pas popullsia e Durrësit u shpërngul thuajse tërësisht në Tiranë dhe Kavajë për shkak të luftës.
Pas vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1946, të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan, ndërsa familjet pronare të tyre u detyruan të jetojnë ku të munden. Godinat fillimisht u përdorën si shtëpi pushimi për punëtorët, ndërsa më pas, një pjesë e tyre u kthyen në vila pritjeje për udhëheqësit e partive të huaja marksiste-leniniste ose si shtëpi pushimi për drejtuesit dhe funksionarët vendas. Këtë fat patën ato që ishin më afër Bllokut, në Iliria, ndërsa të tjerat në sektorët Apollonia dhe Hekurudha u ristrukturuan me miniapartamente brenda tyre dhe u dhanë me qira simbolike për pushimet dyjavore të familjeve, kryesisht nga Tirana. Sigurisht që në fillim të viteve 1990, kur ato nisën ti riktheheshin pasardhësve të pronarëve të ligjshëm ishin mjaft të amortizuara.
 
Si u shkatërruan banesat plot sharm
 
Pjesa dërmuese e vilave të plazhit janë prishur nga vetë familjet e pasardhësve të pronarëve. Shteti demokratik në një nga ligjet e para të fillimviteve 1990 u ktheu pronarëve banesat e ndërtuara me djersën dhe të ardhurat e të parëve të tyre.
Mjaft prej këtyre familjeve, edhe të persekutuara nga regjimi komunist, kishin nevoja të ngutshme banimi; disa të tjerë gjykuan se amortizimi i tyre i bënte përfundimisht të pabanueshme; të tjerë u joshën nga shkëmbimi me leverdi. Nuk ishin të pakët ata që nuk mundën ti rezistonin pallateve, që po ngriheshin me shpejtësi marramendëse mbi kokat e tyre.
Në fakt, nga momenti i ndërtimit te prishja masive kishin kaluar vetëm 70 vjet.
Parcelat e nxjerra në shitje nga bashkia e Durrësit në mesin e viteve 1930 u blenë kryesisht nga familje të pasura, ose familjet “në gjëndje”, siç thirreshin rëndom. Por shumë te tjera u dhanë nga administrata edhe si shpërblim në këmbim të disa rrogave mujore, të papaguara prej kohësh nga qeveria në krizë financiare.
Pasardhësit e familjeve që u bënë fqinjë në një hapësirë turistike, larg shtëpive të tyre në Durrës apo gjetkë kujtojnë familjet që ngritën vilat e para të plazhit.
Turkeshi e Koja, Sula e Kalamishi, Sotiri e Shijaku, Xhimitiku e Spiru, janë vetëm disa nga mbiemrat e njohur në qytetin bregdetar, të cilëve u shtohen familjet tiranase Kërçiku, Erebara, Laca, Beshiri, Bejleri, Shundi,  apo edhe familja e gjuhëtarit të shquar Eqerem Çabej.
Mikel Koja, një nga pasardhësit e familjes, që ndërtoi dy vila në zonën mes Apollonisë dhe Hekurudhës, tregon se njëra prej tyre, ajo që renditej në radhën e tretë të ndërtimeve tashmë është kthyer në një godinë 4-katëshe. Ndërkaq, tjetra në pronësi të xhaxhait të tij, vazhdon të mbijetojë në radhën e parë, (mjaft e këndshme për nga pamja), si pasojë e kujdesit të familjarëve që vijnë për të pushuar në stinën e verës.
Nuk ka qenë e lehtë për ing. Mikelin, djalosh në vitet 1980, të kalojë për vite me radhë para vilës së ndërtuar nga gjyshërit e tij, pa menduar kurrë se do të mund të rikthehej si zot i saj. Por, po aq e pamundur ka qenë të ruajë konturet e një shtëpie të vogël përballë presionit në rritje të ndërtimeve të shumta rretheqark tyre. Familja Koja ruan traditën duke mbajtur ende në këmbë jërën prej dy vilave të familjes, atë më të bukurën në radhën e parë, mes pishave të larta.
 

Ai thotë se gjatë viteve të diktaturës vilat ishin emërtuar me numra për të krijuar edhe një lloj adrese për pushuesit që vinin çdo verë nga të gjitha anët e vendit. Numërimi fillonte nga Apollonia, dhe çuditërisht Vila nr 1, ajo me bazamente e kollona në rrethimin anësor vazhdon të jetë në këmbë. 15 vjet më parë në mjediset e saj u xhirua një film artistik-kujton Mikeli, duke na sjellë në mend edhe xhirime të tjera të kinemasë shqiptare që janë ambjentuar në plazh dhe në vilat e mrekullueshme, të ndërtuara në vitet 1930.

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"