Në fillim të shekullit XX-të Durrësi ishte qendër sanxhaku dhe në qytetin bregdetar kishin selitë e tyre shumë konsullata të huaja. Sipas studiuesit Sali Hidri, fakti që Durrësi ishte qytet portual i jepte një rëndësi të veçantë në Adriatik, ndërkohë nga ana tjetër patriotët durrsakë kishin lidhje konstante dhe të vazhdueshme me situatën politike dhe mendimin patriotik të atdhetarëve shqiptarë. “Patriotët durrsakë të lëvizjes atdhetare ishin të pakët në numër dhe u përkisnin profesioneve dhe shtresave të ndryshme.
Ata kishin përqafuar idenë e rilindasve për mësimin e gjuhës amtare dhe idealin e mëvehtësisë duke iu kundërvënë elementit turkoshak e grekoman, si dhe politikës së autoriteteve xhonturke”,- thotë historiani Sali Hidri. Lëvizja patriotike në Durrës e ka fillesën në vitet e para të shekullit XX. Grupi i patriotëve durrsakë aktivizohej pranë klubeve patriotike “Vllaznia” e “Bashkimi”.
Në ato vite, patriotët durrsakë krahas përpjekjeve për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe shpërndarjes së librave shqip bënë një punë mjaft të madhe për krijimin e kushteve të përshtatshme për shpalljen e pavarësisë. Faktin se sa të lidhur ishin durrsakët me lëvizjen patriotike shqiptare e tregon më së miri edhe vula e bashkisë, e cila në prag të shpalljes së pavarësisë kishte në mes shqiponjën dykrenare të rrethuar me shkrimin “Këshilla e Katundarisë Durrës 12.10.1912”.
Jo më kot Ismail Qemali pati planifikuar ta shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Durrës. Plaku i urtë mbërriti në Durrës së bashku me grupin që e shoqëronte më 21 nëntor dhe së bashku me patriotët durrsakë tentoi të ngrinte flamurin një ditë më pas, por përpjekjet e tyre u penguan nga prefekti Masar Beu dhe dhespoti grek Jakovi.
Duke parë përparimin e trupave serbe drejt qytetit dhe lëshimin e urdhrit për arrestimin e tij Ismail Qemali u largua drejt Vlorës. Para largimit të tij, nën këshillat e plakut të Vlorës, në datë 23 nëntor 1912 u zhvillua mbledhja e përfaqësuesve që zgjodhi delegatët për në Vlorë. Dokumenti mori emrin Akti i Përfaqësimit dhe u nënshkrua nga 31 përfaqësues zyrtarë të popullit të Durrësit. Në këtë mbledhje u caktua që përfaqësues të Durrësit në Kuvendin e Vlorës do të ishin Jahja Ballhysa, Mustafa Basha dhe Abaz Çelkupa.
Në ato vite, patriotët durrsakë krahas përpjekjeve për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe shpërndarjes së librave shqip bënë një punë mjaft të madhe për krijimin e kushteve të përshtatshme për shpalljen e pavarësisë. Faktin se sa të lidhur ishin durrsakët me lëvizjen patriotike shqiptare e tregon më së miri edhe vula e bashkisë, e cila në prag të shpalljes së pavarësisë kishte në mes shqiponjën dykrenare të rrethuar me shkrimin “Këshilla e Katundarisë Durrës 12.10.1912
Ndërkohë dom Nikollë Kaçorri do të përfaqësonte në Vlorë gjithë popullsinë katolike të dioqezës. Për pritjen që durrsakët i rezervuan I. Qemalit shkruan edhe gazetat e asaj kohe. Kështu gazeta “Përlindja e Shqypnis” shkruante: “…le të kujtojmë se ahere kur zbriti z.Ismail Qemali në Durrës, kur po vinte për në Vlorë, durrsakët i bënë një pritmë të paharrueshme. Për një fill, Kryetari i Qverisë së sotme me gjithë ata që kish pas, do viheshin haps (burgoseshin)”.
Në deklaratën e shpalljes së pavarësisë në Vlorë figurojnë firmat e dy përfaqësuesve të Durrësit; Dom Nikollë Kaçorrit dhe Abaz Çelkupës. Ndërkohë dy përfaqësuesit e tjerë të Durrësit Jahja Ballhysa dhe Mustafa Basha mbërritën me vonesë dhe nuk mundën të hidhnin firmën e tyre në Aktin e Pavarësisë.
Megjithëse Durrësi e ngriti flamurin dy ditë para Vlorës, në datë 28 atëherë kur në Vlorë festohej pavarësia e Shqipërisë, pushtuesit serbë do ta ulnin flamurin e ngritur dy ditë më parë. Në kujtimet e tij patrioti Stefan Kaçulini shkruante: “Po n’at kohë, kur ushtira serbe po i afrohej Durrësit, për të bamë një punë të kryeme, bashkë me dy tre shokë si veli bej Juba etj, pregatita me duart e mija Flamurin Kombëtar…, më 26 nanduer 1912 u ngrit në pallatin e prefekturës prej të ndjerit Hafiz Ali Podgorica q’ishte Kryetar i Bahkies së këtij qyteti, por me 28 po t’atij mueji kje ul prej serbvet”. Pavarësisht këtij fakti akti i patriotëve durrsakë në 26 nëntor të vitit 1912 e renditi qytetin tonë në rradhën e kryeqendrave shqiptare që kurorëzuan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për shpalljen e mëvetësisë së kombit tonë.
Delegatët e Durrësit në Vlorë:
Dom Nikollë Kaçorri– përfaqësues i popullsisë katolike të dioqezës
Abaz Çelkupa– përfaqësues i vegjëlisë dhe nënpunësisë së qytetit
Jahja Ballhysa– përfaqësonte parinë e qytetit
Mustafa (Hanxhiu) Basha– përfaqësonte pronarët e qytetit të Durrësit
Data historike
12 tetor 1912– u mbajt mbledhja e parë e Këshillit të Katundarisë (Këshilli bashkiak), i cili përdori vulën me shqiponjën dykrenore në mes
21 nëntor 1912– mbërriti në Durrës Ismail Qemali dhe grupi që e shoqëronte
22 nëntor 1912– Ismail Qemali tentoi të ngrinte flamurin, por pa sukses
23 nëntor 1912– u hartua Akti i Përfaqësimit, 33 përfaqësues të Durrësit zgjodhën delegatët për në Vlorë
26 nëntor 1912– u ngrit flamuri në Durrës prej kryetarit të Bashkisë Hafiz Ali Podgorica
26 nëntor 1912– 22 qytetarë durrsakë firmosën telegramin që njoftonte ngritjen e flamurit në Durrës
28 nëntor 1912– flamuri kombëtar i ul prej forcave serbe që pushtuan qytetin