9 korrik 2015 – Në vitet 1930, sipas të dhënave statistikore të kohës, Durrësi kishte më shumë se 15 për qind të njësive të mëdha industriale të vendit, pa folur për artizanët dhe ndërtuesit.

Investimi aksionar më i rëndësishëm në Durrës ishte STAMLES (Shoqëri Tregtare Anonime Monopoli Letra e Shkrepse). Sipas dokumenteve të kohës, shoqëria u krijua në prill të vitit 1924 me një kapital prej 500 mijë frangash ari, me aksione prej 100 frangash ari. Në listën e STAMLES-it shihen emrat e të gjitha familjeve tregtare dhe industrialiste të Durrësit: Beshiri, Shijaku, Dovana, Leka, Spiru, Papingji, Rrufa, Gjergo, Bodikian, Zaharian, Manushi, Zaguridha, Beja, Xhumrri, Çetaku, Toska, etj. Numri i përgjithshëm i aksionerëve, mes të cilëve edhe punëtorë të fabrikës si dhe tregtarë nga qytete të tjera të vendit arrinte në 300.

“Kështu, shoqëria me profil tregtar për letra cigaresh dhe shkrepse filloi të prodhojë deri në 300 kg cigare në ditë”, shkruan studiuesi Danish Bebeziqi, autor i dy librave për historinë e Durrësit.

Paketat “Diamant” të prodhuara në Durrës ishin të njohura dhe jashtë vendit dhe pikërisht për këtë, etiketa e saj me pamjen e një xhamie u tolerua nga regjimi komunist deri në vitin 1967.

Në Durrës filluan të funksionojnë fabrikat e miellit “Ekonomi” dhe “Shijaku”, fabrika e makaronave “Beshiri”, e më pas edhe ajo e zhveshjes së orizit “Kruja-Myshketa”, që mbanin emrat e familjeve mjaft të njohura në Durrës. Në vitin 1931 fillon veprimtarinë e saj me mjete të thjeshta edhe fabrika e sapunit dhe parfumit “Vëllezërit Xhumrri”.  Shumica e këtyre pasurive si dhe prodhimet disavjeçare në vitet 1945-1950 u sekuestruan nga shteti komunist, ndërsa pronarët e tyre përfunduan në burgje apo internime.

Pak a shumë të nejtin fat patën edhe krijuesit e ofiçinave mekanike “Deliallisi” dhe “Papai”, si dhe ajo e prodhimit të tullave “Anastasiadhi”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/