Të hënën mbushet plot një vit nga tërmeti me magnitudë 5.8 Rihter, i cili shkaktoi në Durrës dëme materiale që në atë kohë u vlerësuan në vlerën rreth 4 milionë euro. 99 shtëpi u shpallën të pabanueshme, ndërsa rreth 1700 të tjera mbetën të dëmtuara një vit më parë. Si për ironi të fatit, vetëm një ditë para tërmetit me magnitudë 6.4 Rihter, kryebashkiakja e asaj kohe Valbona Sako njoftonte se kishte nisur puna për rindërtimin e 99 shtëpive të dëmtuara rëndë me një fond prej 1.6 milionë euro të akorduar nga qeveria shqiptare.
Një vit më pas, kryebashkiakja Emiriana Sako bën të ditur për DurrësLajm se janë thuajse gati 58 shtëpitë e para, për të dëmtuarit e tërmetit të 21 shtatorit. Tërmeti pasues dhe pandemia Covid-19 bënë që procesi të ecte me hapa të ngadaltë, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në fillim nga autoritetet qendrore dhe vendore.
“Ne kemi tashmë 58 familje të sistemuara në banesat e rindërtuara nga e para. Në të njëjtën kohë ne miratuam edhe një listë për të dëmshpërblyer familjet për dëmet e shkaktuara. Tërmeti i datës 26 nëntor e tjetërsoi dhe e rifilloi nga e para procesin e rivlerësimit të dëmeve. Por e rëndësishme është që 58 familje janë sistemuar tashmë në banesat e reja”,– tha Sako.
Tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit i shkaktuan Durrësit dëme të mëdha, fatura e të cilave arrin në qindra milionë euro. Goditja që shkaktuan dy lëkundjet sizmike janë ende mjaft të pranishme në qytet. 904 familje në njësitë administrative presin që në tetor të nisë puna për rindërtimin e shtëpive private. Ende ka mjaft paqartësi për fatin e pallateve shumëkatëshe, për të cilat nuk ka dalë akoma akt-ekspertiza e thelluar. Shembja e mureve të brendshme të një pallati 13 katësh në lagjen nr.17, pasditen e sotme, riktheu edhe njëherë në kujtesën e durrsakëve ato momente të frikshme të përjetuara në të gdhirë të datës 26 nëntor.
Deri më tani, procesi që ka vijuar me ritme të shpejta ka qenë ai për ndërtimin e objekteve shkollore, megjithëse edhe ky proces është shoqëruar me indinjatën e qytetarëve, të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë sesi disa shkolla ku nxënësit studiuan deri më datë 10 mars u shpallën nga Instituti i Ndërtimit si objekte që duhen shembur, pasi janë të rrezikshme…
M.B.





