8 maj 2015 – ‘Durrës lajme’ po publikon disa foto të panjohura apo edhe pak të njohura të 7 prillit 1939 në Durrës. Fotot janë bërë nga fotografë (kameramanë) profesionistë të Institutit Luce, që shërbente si një nga mekanizmat kryesor të propagandës fashiste. Një nga fotot është bërë nga një ushtarak italian kontigjent i Operacionit OMT (Oltre Mare Tirana), që zbarkoi në Durrës në përbërje të “Kolonës Messe”. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë italiane, planin për pushtimin e Shqipërisë e kishte quajtur OMT.

-Në foton e parë duket një grup i vogël civilësh italianë, që nuk u evakuan me civilët e tjerë italianë më 5 prill po nga Porti i Durrësit. Civilët janë bujq italianë të punësuar në koncesionin bujqësor EiAA të Sukthit. Civilët janë nën mbrojtjen e marinarëve të armatosur italianë si edhe të ushtarëve të Batalionit të parë të Regjimentit të 47 të këmbësorisë. Bie në sy flamuri italian me stemën e Shtëpisë Mbretërore të Savojës. Fotoja është bërë menjëherë pas pushtimit të Durrësit nga trupat fashiste, kur nënrepartet e shpejta të Kolonës Messe kishin arritur deri tek Ura e Shijakut e hedhur në erë nga xhenjoja mbretërore shqiptare.

-Fotoja e dytë paraqet bersalierët italianë (të dallueshëm nga tufa e puplave në helmetë) me motorcikleta duke patrulluar në bulevardin kryesor të qytetit, që lidh ndërtesën e bashkisë me portin. Fotoja është bërë menjëherë pas pushtimit të Durrësit, rreth mesditës së 7 prillit. Në sfond duket makina e Rrok Gerës, ministër i Ekonomisë i Zogut, i cili bënte pjesë në një delegacion (ministry Rook Ger, ministry i Punëve të Jashtme Libohova, kol. Sami Koak dhe atasheu ushtarak italian kol. Gabriele) të dërguar nga Mbreti Zog për të biseduar me komandantin e trupave zbarkuese gjeneral lejtnant Alfredo Guxonin.

-Fotoja e tretë na jep aspekte nga zbarkimi i trupave italiane në Portin e Durrësit pasi është neutralizuar me zjarr rrezistenca e mbrojtësve të qytetit. Në molin e portit duket që është bregëzuar torpediniera Lupo, e cila kreu edhe bombardimin e vijës së parë të forcave shqiptare të mbrojtjes së qytetit, ndërsa torpediniera tjetër Lince po hyn në Portin e Durrësit.

-Fotoja e katërt paraqet disa ushtarë italianë, që po patrullojnë në bulevardin kryesor të Durrësit të mbështetur nga 2 tanketa (tanke super të lehtë) tip CV 33. Tanketat bëjnë pjesë në regjimentin e tetë të koracuar, pjesë e valës së parë të zbarkimit në Durrës. Ishin pikërisht zbarkimi i këtyre tanketave, që i dha fund rezistencës së organizuar të mbrojtësve të Durrësit. Fotoja është marrë përballë ish-“Banca di Lavoro”, sot Optika Vokopola.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/