Edicioni i 15 i “Play games & dance”, i njohur ndryshe edhe si Festloja mblodhi sërish në Durrës qindra fëmijë nga e gjithë Shqipëria, vendet e rajonit, madje këtë herë organizatorët kishin shkuar shumë larg. Dëshira e tyre për të sjellë në Durrës grupin e fëmijëve nga Venezuela e largët u bë realitet.

25 grupe merrnin pjesë në këtë aktivitet kulturor që është kthyer në një takim të përvitshëm dhe në një traditë mbresëlënëse. Edicioni i këtij viti përkoi me 100 vjetorin e pavarësisë, kështu që në skenografinë e këtij “festivali” të fëmijëve nuk kishin si të mungonin simbolet kombëtare. Madje një pjesë e grupeve pjesëmarrëse, kryesisht ato nga qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës kishin përfshirë në programin e tyre këngë dhe valle me motive patriotike.

Flamuri kombëtar dhe ngjyrat kuq e zi zbukuronin jo vetëm skenografinë, por edhe kostumografinë e përzgjedhur nga shumë prej grupeve për këtë veprimtari. Gjatë ceremonisë së hapjes së këtij aktiviteti kulturor u ngjitën në skenë për të përshëndetur të pranishmit drejtuesit e të gjitha grupeve pjesëmarrëse që i uruan fëmijëve ta shijonin sa më shumë këtë eksperiencë të bukur si dhe falenderuan organizatorët për pritjen.

Skena e improvizuar para pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” u dha mundësi edhe shumë qytetarëve durrsakë të ndiqnin programin e përgatitur nga secili grup. Aktiviteti startoi me paradën e fëmijëve pjesëmarrës, që u nisën nga pallati i sportit “Ramazan Njala” dhe përshkuan më pas gjithë bulevardin kryesor për të mbërritur në destinacionin final, sheshin “Liria” që për 3 ditë me rradhë u pushtua nga fëmijët.

Drejtoresha e qendrës kulturore të fëmijëve, Gladiola Busulla, u shpreh se “në kuadër të përvjetorit të pavarësisë së vendit tonë, një pjesë e madhe e këngëve, valleve, etydeve apo ekspozitave do t’i kushtohen pikërisht këtij eventi. Një aktivitet i këtij lloji forcon marrëdhëniet mes fëmijëve, ekuilibron klimën në rajon, pasi miqësia e së sotmes është paqja e së nesërmes”.

Siparin e kësaj veprimtarie e hapën fëmijët e Venezuelës, që si mysafirët e nderit që ishin nuk i zhgënjyen pritshmëritë e publikut. Larmia e ngjyrave të kostumeve të tyre, vallet dhe lojërat popullore karakteristike të këtij vendi si dhe gjallëria dhe lëvizjet ritmike që vajzat sollën në skenë u pritën mjaft ngrohtë nga publiku.

Grupet pjesëmarrëse në këtë aktivitet kishin një gjeografi mjaft të gjerë nga Prishtina në Tiranë, nga Saranda në Prizren, nga Korça Lushnja, Bosnja e Maqedonia deri në Amerikën e Jugut. “Play Games & Dance, që këtë vit mbylli edicionin e tij të 15-të, ka krijuar një traditë të bukur mes fëmijëve pjesëmarrës, të cilët krahas lojërave dhë këngëve popullore njohin më nga afër kulturën materiale dhe shpirtërore të vendeve të tjera, kulturë që është trashëguar ndër shekuj, si dhe prekin nga afër mikpritjen durrsake”,- tha drejtoresha Busulla.

Ashtu siç është kthyer tashmë në traditë, fëmijët pjesëmarrës në këtë aktivitet mikpriten në familjet durrsake duke krijuar kështu një urë edhe më të fortë komunikimi mes të vegjëlve, duke krijuar një miqësi që vazhdon ndër vite.

Por pavarësisht organizimit mjaft të mirë nuk mund të lëmë pa përmendur ndërprerjen disa minutëshe të programit gjatë ditëve të aktivitetit, për shkak të mungesës së dritave. Duket se këtë herë CEZ nuk kurseu as një aktivitet ndërkombëtar, duke lënë një shije të hidhur tek organizatorët dhe publiku.