“Duam polici gjithandej”. Me këtë fjali ku shprehte naivitetin dhe pafajësinë e saj, një vogëlushe nga Durrësi, banore në zonën e ish-Kënetës (ku një natë më parë humbën jetën dy gra, ndërsa një tjetër automjet ndodhej ende në vendngjarje i përplasur me shtyllën), kërkonte sot para mikrofonit të DurrësLajm një garanci më shumë për ruajtjen e jetës së saj, bashkëmoshatarëve, prindërve e të afërmve nga aksidentet fatale. 

Më vjen mirë që vogëlushja e sheh policin si garantuesin e rendit dhe sigurisë, si mbrojtësin e jetës së qytetarëve, por mosha e njomë nuk e lë të kuptojë tani për tani se xhaxhi polici nuk mund të zëvendësojë mungesën e vijave të bardha, një mbikalimi apo semafori. 

Dy viktima humbën jetën mbrëmjen e së shtunës, dy familje janë në zi sot dhe dhimbja do t’u vazhdojë për shumë kohë, madje mund t’i shoqërojë përgjatë gjithë jetës. Por përtej kësaj tragjedie duhet menduar për të shpëtuar jetë të tjera në të ardhmen. Ajo që më pëlqeu ishte reagimi i banorëve të zonës, që pikërisht në vendin e dy aksidenteve zhvilluan një protestë paqësore, ku kërkuan vija të bardha, mbikalim, vendosjen e semaforit. 

Është e dhimbshme të mendosh se për kaq pak gjëra dy gra sot nuk jetojnë më, ndërsa bashkëqytetarët e tyre dalin në rrugë për të mos qenë nesër viktimat e aksidentit të rradhës. 24 të vdekur nga aksidentet brenda pak viteve në rrugën “Vëllazërimi” dhe zonën përreth janë shumë. Për të mos përmendur këtu dhjetëra të tjerë që mund të kenë mbetur me pasoja për shkak të përplasjeve. 

Nëse tërheqja e vëmendjes së institucioneve përgjegjëse varet nga sa lart e ngrenë zërin qytetarët, atëherë të gjithë le të dalin të protestojnë sa herë e kuptojnë se të drejtat u janë mohuar. 

Më dy nëntor 2018, studentët dhe pedagogët e UAMD-së dolën dhe protestuan duke i dhënë afat 7 ditë qeverisjes vendore ndalimin e djegies që dhjetëra ton plehra në ditë në qiell të hapur, duke shkaktuar një ndotje ambientale me pasoja afatgjata. Një ditë pas tyre, protestuan banorët e Sukthit të ri, po për të njëjtin problem. Vetëm pak ditë më pas, zëvendësministri Sandër Lleshaj (nuk ishte dekretuar ende nga presidenti Meta) urdhëroi ndalimin e djegies së mbeturinave në fushat e grumbullimit të tyre. 

Në dhjetor të vitit të kaluar, studentët nisën protestën e tyre, bojkoti i universiteteve ende vazhdon dhe nuk dihet akoma nëse studentët do t’i shohin të realizuara të gjitha kërkesat e tyre parashtruar ministrisë së Arsimit dhe qeverisë, por deri më tani, të paktën disa lëshime janë bërë nga ekzekutivi. 

Në një emision televiziv, mbrëmjen e së premtes, kryeministri Rama deklaroi se ishte dhe faji i opozitës pse qeveria e tij nuk jepte performancën më të mirë, pasi nuk ndihej e motivuar. Përballë protestave, Rama dhe ministrat e tij kanë treguar se nisin të tregohen më të logjikshëm dhe të bëjnë disa hapa prapa nga vendimet e marra në ngut e sipër e pa llogaritur mirë pasojat sociale që do të sillnin për kategoritë që preken. 

Pra kur ndërgjegja qytetare është e fortë, kur populli kërkon të drejtat e tij të pamohueshme që ia garanton kushtetuta dhe ligjet e këtij shteti, asnjë qeveri apo pushtet vendor, sado i fortë të ndihet, nuk sillet dot me arrogancë. 

Prandaj u ndjeva mirë, kur edhe fëmijë ende të mitur kishin dalë sot bashkë me prindërit e tyre, që viktima të tjera nga lagja e tyre të mos përgjakin më rrugët e lagjes nr.17, lagjeve të Durrësit apo të gjithë Shqipërisë. Nëse brymosesh që kur je i vogël të kërkosh të drejtat e tua, rritesh si një qytetar i përgjegjshëm për të drejtat dhe detyrimet e tua në jetën në komunitet dhe në të ardhmen nuk do të heshtësh kur të nëpërkëmben ato.

Në fund, dy fjalë për vajzën e vogël që kishte dalë të protestonte sot për mbrojtjen e jetës. Vazhdo beso se ky vend do bëhet më i mirë, se këtij populli nuk ia kanë hequr ende shtyllën kurrizore dhe vazhdo protesto me prindërit sa herë kupton se jeta jote mund të vihet në rrezik nga papërgjegjshmëria jonë, e të rriturve.

M.B.