Janë dy misteret që duhet të sqarohen e që lidhen me seancën e zhvilluar dje në Përmet, në përfundim të së cilës gjyqtari Dritan Hasani liroi pronarin e universitetit UET, Henri Çili, të akuzuar për gjashtë vepra penale. Misteri i parë ka të bëjë me prokurorin e çështjes, Asllan Bajramaj, i cili çuditërisht zhduku në kërkesën që i bëri Gjykatës një nga provat kryesore të siguruara kundër Henri Çilit. Fjala është për takimin e zhvilluar më 14 janar 2020 në Hotel Tirana mes Henri Çilit dhe “një drejtuesi të një organi të lartë të drejtësisë”, të cilin e përmend vetë prokurori në kërkesën, me të cilën më 27 shkurt i kërkon leje Gjykatës së Përmetit të ushtrojë kontroll ndër të tjera edhe në zyrën e Henri Çilit. Sikurse shkruan prokurori, “ndërhyrjet e shtetasit Henri Çili tek funksionarë të sistemit të drejtësisë, rezultojnë nga përmbajtja e bisedës së datës 14.01.2020 të zhvilluar në ambientet e International Tirana Hotel, ku një drejtuesi të një organi të lartë të drejësisë, i është kërkuar që të ndikojë që kërkesat e të dënuarve për të cilët ai ka ndërhyrë të bëheshin sa më shpejt. Nga ana e këtij funksionari ka marrë përgjigje që do të ishin në 50 të parat. Pas këtij takimi, shtetasi Henri Çili ka marrë në telefon kunatin Gazmir Hajdani dhe i ka thënë që çdo gjë është ok”.

Sikurse e shpjegon vetë prokurori në aktet e hetimit, flitet për të ndihmuar të dënuarin me burgim të përjetshëm Arbjon Aliko dhe Alban Aliko (i dënuar me 18 vjet) – të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s më 2015 në Lazarat – dhe Feti Yzeirajn, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Shefo Durajt. Të tre këta, të dënuar me vendim të formës së prerë në Gjykatën e Apelit, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe relator kanë Ardian Dvoranin, si të vetmin gjyqtar të mbetur, e që aktualisht është kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në Gjykatën e Lartë, e cila mund të rifillojë aktivitetin e saj vetëm kur të emërohen të gjithë gjyqtarët që do të jenë pjesë e saj, janë në pritje 38.000 dosje, por, sikurse thotë prokurori Bajramaj, dosjet e vëllezërve Aliko dhe ajo e Feti Yzeirajt duhet të jenë përfshirë tashmë në 50 të parat. Një privilegj i madh ky. Prokurori shkruan se për ndërhyrjen e kryer nga Henri Çilit familja e Feti Yzeirajt duhet të ketë premtuar 75.000 euro dhe duhet t’i ketë parapaguar si paradhënie në dorë Henri Çilit 30.000 euro. Ndërsa familja Aliko duhet të ketë premtuar 750.000 euro, duke i dhuruar si paradhënie dy apartamente në Velipojë nëpërmjet ndërmarrjes Fishta.

Skema, sipas letrave të prokurorit, duket e qartë dhe ai mbi bazën e këtyre provave urdhëron ndalimin e Henri Çilit dhe atyre që mendohet se janë bashkëpunëtorë të tij. Bën shumë bujë referimi ndaj një “drejtuesi të lartë të drejtësisë” që takohet me Çilin në Hotel Tirana, duke e siguruar atë se do t’ia bëjë favorin e kërkuar, po aq sa edhe surpriza e mbylljes në qeli për këtë gjë e Henri Çilit (një VIP i konsideruar deri tani si i paprekshëm). Skandali amplifikohet nga fakti se prokurori Bajramaj “harron” të thotë emrin e funksionarit të lartë në kërkesën e tij ndaj Gjykatës më 27 shkurt. Fakti se Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar në detyrë në Gjykatën e Lartë dhe relator (provizor) në të dyja dosjet e shtyu atë që të reagojë, duke sqaruar se nuk ka patur asnjëherë asnjë takim të tillë me Henri Çilin, as është njoftuar që ndonjë i dënuar ka kërkuar procedurë të përshpejtuar. Sot Gjykata e Lartë reagoi zyrtarisht, duke siguruar edhe një herë se nuk është vendosur dhe nuk është bërë asgjë në lidhje me ato dosjet e dyshuara dhe rrjedhimisht bëhet fjalë vetëm për spekulime pa asnjë bazë të vërtetë.

Por mbetet fakti se ai takim dhe ai premtim (që duket se nuk korrespondojnë me asnjë ndërhyrje reale, sikurse siguron sot Gjykata e Lartë) janë sjellë si provë në një akt zyrtar hetimor të prokurorit e kështu duhet pranuar se ai takim dhe ai premtim (fals) duhet të kenë ndodhur vërtet dhe të jenë dokumentuar nga Policia. Të gjithë prisnin që misteri i emrit të gjyqtarit mik të Çilit të sqarohej në sallën e gjyqit më 1 mars, kur një gjyqtar i Përmetit do të gjykonte provat në ngarkim të botuesit. Por në mënyrë të Çuditshme episodi i Hotel Tiranës zhduket nga kërkesa, me anë të së cilës prokurori më 29 shkurt i kërkon Gjykatës të konfirmojë arrestimin e Çilit. Edhe akuza duket se është ndryshuar dhe prokurori e përshkruan Çilin dhe bashkëpunëtorët e tij jo më si një grup që mund të ndikojë me të vërtetë në ecurinë e proceseve gjyqësore, por si një bandë mashtruesish, të cilët u premtonin familjarëve të të dënuarve favore “bazuar në personalitetin, intelektin dhe njohjet që (Henri Çili) gëzon në publikun shqiptar si pronar mediash, univerisiteti dhe biznesesh të tjera me ndikim në shoqëri, si personi që të krijonte besimin tek personat e mashtruar se ai ka ndikim në organet e drejtësisë dhe jo vetëm, por edhe në institucione të tjera shtetërore …”.

Por ku përfundoi takimi i Hotel Tiranës? Kush është drejtuesi misterioz i një organi të lartë të drejtësisë që duhet t’i ketë premtuar Henri Çilit se mund të çojë në krye të listës së çështjeve në gjykim dosjet e personave për të cilët interesohet, pavarësisht se aty janë 38.000 të tjera? Përse prokurori nuk flet më për këtë? Misteri i dytë që duhet të sqarohet ka të bëjë me vendimin e gjyqtarit Dritan Hasani për dy bashkëpunëtorë (të supozuar) të Henri Çilit në planin e tij mashtrues. Nëse Henri Çili u la i lirë vetëm me detyrim paraqitjeje (një herë në muaj duhet të paraqitet në komisariatin e Përmetit), pse Ilir Korbi dhe Besnik Fishta, që prokurori i hetoi si bashkëpunëtorë të tij, janë në arrest shtëpie? Në rast se gjyqtari e besoi Henri Çilin, i cili shpjegoi se kishte ndërhyrë në favor të të burgosurve si pronar i një zyre ligjore, pse bashkëpunëtorët e tij (njeri prej të cilëve është me të vërtetë avokat) janë në arrest? Paradoks është se, sipas akteve të Prokurorisë, Henri Çili duhet të ketë marrë dy apartamente dhe 30.000 euro, ndërkohë që një nga bashkëpunëtorët e tij nuk ka marrë asgjë dhe i treti madje është ai që ka paguar. Pra, kush fitoi është i lirë, kush pagoi jo. Edhe sikur Henri Çili të jetë fajtor, edhe sikur të jetë i pafajshëm, nga kjo histori imazhi i prokurorive dhe gjykatave shqiptare del edhe njehere copë-copë. Mjafton të prekësh pak ndonjë “VIP” dhe parimet elementare të drejtësisë ende thërrmohen.

Marrë nga Shqiptarja.com