AUSTRALI– Duket se viti i ri kalendarik është fatsjellës për Besart Berishën. Pas shënimit të golit të parë më datë 1 janar 2013 kundër Wellington-it, sulmuesi shqiptar ka arritur të realizojë dy gola në takimin e djeshëm ndaj Melburn Hart. Megjithatë, Brisbane nuk ka mundur të marrë as edhe një pikë të vetme në sfidën e zhvilluar në transfertë, duke humbur me rezultatin 2-3. Berisha ka shënuar në fillim me 11 metërsh në minutën e 74-të kur takimi ishte në shifrat 3-0 për ekipin e Melburn Hart. Ish-lojtari i Kombëtares sonë ka shkurtuar përsëri dizavantazhin për Brisbanen 2 minuta më pas, këtë herë pas një asisti të marrë nga Tomas Broish.

Ekipi ku aktivizohet Berisha kishte mundësi për të barazuar ndeshjen, por në minutat e fundit të kohës së rregullt, Nikols nuk është i saktë në gjuajtjen e tij, ndërsa topi kaloi ngjitur me shtyllën pingule. Kështu, dy golat e Berishës i kanë shërbyer lojtarit për të shtuar numrin e realizimeve të tij në kampionatin australian. Ish-futbollisti i Përfaqësueses sonë ndodhet në vendin e dytë të klasifikimit të golashënuesve në kuotën e 8 realizimeve.

Disa ditë më parë, Besart Berisha ishte vënë në qendër të kritikave nga mediat australiane për shkak të paraqitjes së tij të dobët dhe numrit të paktë të golave në krahasim me një sezon më parë. Megjithatë, 27-vjeçari me tri realizimet e tij në vetëm 6 ditë duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë, edhe pse për Brisbanen është e dukshme se vetëm Berisha nuk mjafton për të qenë në nivele të larta.

Roli i lojtarit shqiptar, në fushën e lojës ndërrohet shpesh brenda një takimi nga ana e trajnerit të ekipit Australian dhe sulmuesi luan edhe në krahun e majtë të repartit ofensiv. Një alternativë kjo që për Besartin duket se nuk është shumë e pëlqyer dhe rezultative. Edhe në ndeshjen e djeshme kundër Melburnit, ai e nisi takimin në pozicionin e sulmuesit anësor.

Por me fillimin e pjesës së dytë, futbollisti kaloi në qendër të repartit ofensiv, ku shënoi më pas dy gola. Alternativat e pakta që ka trajneri i Brisbanes në sulm kanë bërë që këtë sezon Berisha të sakrifikohet, duke dalë jashtë pozicionit të tij. Brisbane ndodhet në vendin e 7-të në renditje, me vetëm 17 pikë dhe është vetëm 2 pikë larg pozicionit që të çon një kategori më poshtë.