Rikthimi i Maks Alegrit te Juventusi nuk ishte ashtu siç pritej, duke qenë se skuadra ka rrëshqitur pas vetëm 12 javësh 14 pikë larg kreut dhe lufta për titull të paktën sivjet duket një mision i pamundur. Dhe pse jo, nëse gjërat nuk ndryshojnë deri në fund të sezonit apo sikur të mos arrihet as zona Champions, konfirmimi i “Kontit Maks” do të vihej seriozisht në dyshim. Madje, që tani kanë nisur të qarkullojnë thashethemet e para, njëra prej tyre bombastike… Xhovani Galeone, mentori dhe mësuesi i tij, ka dalë hapur.

“Pas aventurës së dytë me Juven, në planet e Alegrit është kombëtarja e Italisë”. E thënë nga personi që siguroi i pari për rikthimin e 54-vjeçarit, në verë, në Torino, pa dyshim që duhet besuar. Madje, që tani ka nisur që kjo ide të thellohet edhe më shumë, sipas së cilës me largimin e Alegrit nga Torino, bomba do të ishte ndërrimi i pankinës me Roberto Mançinin.

Edhe ky i fundit, me “play off”-et e Kupës së Botës, ka vënë seriozisht në dyshim vazhdimësinë e tij tek Italia. Dhe nëse nga njëra anë “Manço” nuk siguron biletën për në Katar dhe Alegri nuk kap Champions-in, rokada mund të ndodhë që në verën e ardhshme.

Por kjo mundësi mund të spostohej edhe për vetën e 2023-shit, me Mançinin që në rast kualifikimi mund të “luante” edhe Botërorin dhe më pas të ndërronin vendet me Alegrin. Dhe për ta konfirmuar edhe më shumë këtë hipotezë, në konferencën për shtyp, kur trajneri bardhezi u pyet se çfarë i mungon Juves për të bërë një futboll disi më tërheqës, ai u shpreh:

“Ju gazetarët vetëm kërkoni gjëra shtesë. Kur nuk fitojmë na gozhdoni, kur fitojmë doni edhe futbollin e bukur. Ndërkohë, për një penallti të humbur ndaj Zvicrës masakruat një lojtar që ishte lider në fitoren e Europianit, por edhe punën fantastike të bërë nga Italia në këto vite të fundit.

Keni kujtesën e shkurtër, por unë di të them se kombëtarja është pasuria jonë më e madhe dhe të gjithë duhet t’i qëndrojmë pranë”. Mos ndoshta këto fjalë të Alegrit ngjanin si “nxehje” para akordit?