Valmir Lame është gjetur i mbytur pasditen e sotme në një rezervuar në Korçë, disa ditë pasi ishte shpallur i humbur nga familjarët e tij.

Babai i 54-vjeçarit foli për mediat duke treguar se muajt e fundit i biri kishte paraqitur probleme shëndetësore dhe kishte shfaqur dhimbje të forta koke, për të cilat ishte duke u ekzaminuar.

Por ndërsa ishte duke folur me gazetarët, ai ka parë dhe momentin e rëndë kur polumbarët kanë gjetur dhe kanë nxjerrë trupin e pajetë të të birit.

Ndërkohë Policia ka dalë në një njoftim zyrtar për 54-vjeçarin, Valmir Lame dhe bën me dije se nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune teksa dyshohet se ai mund të jetë vetëmbytur në rezervuar.

Njoftimi:

Në lidhje me njoftimin e dhënë më datën 28.01.2025, për largimin nga banesa të shtetasit V. L., 54 vjeç, banues në Kamenicë, i cili edhe pas kërkimeve nga familjarët dhe Policia nuk u gjet ju informojmë se:

Ditën e sotme Polumbarët e Reneas, kanë kryer kërkime në rezervuarin e fshatit Kamenicë, ku kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupit të pajetë të shtetasit V.L, nga rezervuari i fshatit Kamenicë.

Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të jetë vetëmbytur në rezervuar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.