Për disa javë me radhë vuante mungesën e ndriçimit publik, por tashmë aksi “Hysen Myshketa” duket si “i rilindur”.
Që nga fundjava e kaluar, përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi, ndriçimi publik është funksional, siç duket qartë në videon e mëposhtme.
Vjedhja e kabllit të energjisë elektrike e linte komunitetin e kësaj zone në terr të plotë, sapo në qytet zbriste nata.
“DurrësLajm” dokumentoi mbrëmjen e 23 janarit, përmes pamjeve filmike, errësirën që mbulonte të gjithë zonën përreth.
Burime nga Ndërmarrja Rruga na konfirmuan se arsyeja e mungesës së ndriçimit ishte vjedhja e kabllit, për të cilën ishte bërë dhe denoncimi përkatës në polici.
Të njëjtat burime pohuan se kishin nisur punën për zëvendësimin e kabllit të vjedhur dhe brenda 24 orësh në rrugën “Hysen Myshketa” do rikthehej ndriçimi.
Realiteti tregoi se premtimi u mbajt dhe banorët e zonës tashmë mund të lëvizin qetësisht në orët e vona në hapësirat publike pranë banesave të tyre.
M.B.