Një i burgosur shqiptar është arratisur në mënyrë spektakolare nga burgu famëkeq i Koridhalosit në Greqi gjatë ditës së sotme (2 qershor).
Autoritetet greke thane së u njoftuan pasi një i burgosur u arratis nga burgu dhe sipas informacioneve fillestare, ai është një 48-vjeçar shqiptar, i cili arriti të arratiset nga burgu në rrethana që janë nën hetim.
Sipas të njëjtave informacione nga “Protothema”, arratisja ndodhi gjatë kohës së ushqimit në mensë. Vlerësimet fillestare tregojnë se dy zona sigurie të njëpasnjëshme mund të jenë hapur njëkohësisht, një fakt që dyshohet se i burgosuri e ka shfrytëzuar për t’u arratisur.
Mendohet se ai ka studiuar për shumë kohë procedurat e sigurisë së burgut, lëvizjet dhe hapje-mbylljet e dyerve në mënyrë automatike.
Autoritetet kanë nisur hetimet për ta gjetur dhe arrestuar atë, ndërkohë që po shqyrtojnë njëkohësisht rrethanat në të cilat u bë e mundur arratisja, si dhe çdo përgjegjësi në funksionimin e masave të sigurisë në burg.
Kjo, pasi ka dyshime se ai edhe mund të jetë ndihmuar nga brenda burgut prej gardianëve, duke i krijuar lehtësira në arratisje.





