Në gjendje shoku ndodhet nëna e 45-vjeçares shqiptare, Julieta Obzova që u vra në orët e para të së dielës (23 gusht) në Nea Smyrni të Athinës në Greqi. Ajo mësoi për vdekjen e së bijës nga vajza tjetër, pak kohë pas ngjarjes.
“Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë”, është shprehur nëna e viktimës para gazetarëve, me lot në sy. Ajo tha se e bija nuk i kishte treguar për ndonjë lidhje dashurie dhe se me ish-bashkëshortin ishte ndarë prej kohësh.
48-vjeçari e priti në makinë
Sipas të dhënave të reja të hetimit, 48-vjeçari me origjinë shqiptare, i identifikuar si Altin Allmuça dyshohet se kishte ngritur pritë në automjetin e tij, pranë pallatit në rrugën “Grigoriu Kydonion”, ku 45-vjeçarja jetonte me vajzën e saj 16-vjeçare.
Kur e pa gruan të dilte nga pallati, ai dyshohet se zbriti nga automjeti, iu afrua dhe e qëlloi me armë zjarri. 45-vjeçarja mbeti e vrarë në hyrje të pallatit.
Menjëherë më pas, sipas autoriteteve greke, 48-vjeçari ka përdorur të njëjtën armë për të qëlluar veten në kokë. Pistoleta u gjet pranë trupit të tij.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se sa kohë kishte pritur 48-vjeçari jashtë pallatit, nëse e dinte paraprakisht se ku ndodhej gruaja dhe çfarë kishte ndodhur mes tyre.
Hetohet një denoncim i bërë në vitin 2024
Një tjetër element që po shqyrtohet nga autoritetet është një denoncim i bërë nga 45-vjeçarja në korrik të vitit 2024 në një komisariat të Athinës.
Ajo kishte raportuar se ish-partneri i saj nuk i kishte kthyer një motor pas ndarjes. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar nëse personi për të cilin ishte bërë denoncimi ishte pikërisht 48-vjeçari që dyshohet për vrasjen.
Gjithashtu, autoritetet po hetojnë postimet e 48-vjeçarit në rrjetet sociale, ku ai shfaqej në fotografi duke pozuar me armë. Hetuesit po verifikojnë nëse arma e shfaqur në këto fotografi ka ndonjë lidhje me pistoleten e gjetur në vendngjarje.

Deshmite
Banorët e zonës kanë dëshmuar se kanë dëgjuar të shtënat rreth orës 05:30 të mëngjesit.
Një banore tha se kishte dëgjuar tre të shtëna, ndërsa një tjetër i përshkroi si tre zhurma shumë të forta, me disa sekonda diferencë nga njëra-tjetra.
Pak më vonë, banorët kanë dëgjuar edhe sirenat e policisë.





