• Një përgjigje për gjithë dilemat e politikës dhe medias

Nga Blendi Fevziu

Opinionet janë gjithnjë më shumë se sa dy, ndërsa fakti është vetëm një! Kjo aksiomë e vjetër e gazetarisë duket se ka humbur rrugën prej kohësh në Shqipëri. Për ironinë tonë, pikërisht fakti paraqitet si opinion dhe opinioni si fakt. Kjo anomali që ndodh në të gjitha shoqëritë ku demokracia nuk është e konsoliduar; ku reagimi publik është i zbehtë dhe ku njerëzit e fuqishëm besojnë se opinioni është një turmë që beson çdo gënjeshtër të tyre, më erdhi ndër mend këto ditë, duke ndjekur në forumet formale, por edhe informale një debat që lidhet me një detaj të emisionit Opinion javën që shkoi. Dua të bej një sqarim, i cili më shumë se sa për emisionin Opinion, vlen për mënyrën se si shtypi funksionon dhe një sfidë shumë publike për të gjithë njerëzit paranojakë dhe me teori konspirative që vërtiten në këtë vend!

Një javë më parë, në një emision të organizuar për përgjimet që bëjnë mediat me qëllim goditjen e korrupsionit (Emision që mori shkak nga shikueshmëria e madhe e emisionit "Stop" në javën e tij të parë) qëlloi të ishte i ftuar edhe gazetari Artan Hoxha. Panelet gjithnjë vendosen në një mbledhje me së paku 10 vetë dhe jo pa u debatuar më parë. Një prej gazetarëve propozoi Artan Hoxhën për arsye të filmimeve që ai kishte komentuar shpesh në media, ku hyjnë edhe pamjet e 21 Janarit, të rrëmbimit të Stafukës apo edhe ato të vrasjes së Komisar Dritan Lamajt. Hoxha pranoi dhe gjatë emisionit, ku u duk disi pasiv, publikoi një sms shkëmbyer mes Ismailajt dhe një politikani të lartë që ai vetë e identifikoi me Ilir Metën, në atë kohë, Kryetar i LSI-së dhe deputet. Sqaroi madje edhe detajet ligjore apo antiligjore në të cilat ishte kryer ajo nga Prokuroria. Në fakt, personalisht nuk kisha dijeni për atë sms. Ky ishte edhe defekti i emisionit. Nëse Hoxha do ma kishte thënë që në fillim, nuk do t’ia jepja fjalën në fund dhe as do ta kaloja pa përqendrimin e nevojshëm. Do ia jepja fjalën që në fillim dhe do ta kisha përqendruar emisionin tek ajo sms dhe ajo dosje. Asgjë më shumë se sa ai denoncim nuk mund të tërhiqte vëmendjen e publikut që atë moment arriti diku në 58 % ose baras me një televizor në 2 ndezur tek ai emision. Një drejtues emisioni nuk mund të ëndërrojë asgjë më të madhe se sa kaq. Si gazetar, të kesh mundësinë e një denoncimi të tillë, po ashtu është një kulm profesional. Vërtetësia apo jo e faktit i takon padyshim gazetarit që e bëri denoncimin. Ajo që i mbetet emisionit është thjesht oponenca dhe gjithë pikëpyetjet që publiku ngre në këtë rast. Për ta bërë siç duhet detyrën që ka.

Pas emisionit pata rastin t’i hedh një sy disa fletëve të asaj dosjeje, përgatitur nga Prokuroria, ku përfshiheshin njerëz të mediave dhe të politikës, në rrethana nga më të çuditshmet. Mendoja se do bëja një tjetër emision për këtë gjë, por java e kaluar u dominua nga Reforma në Drejtësi dhe kjo e shmangu temën e parë. Madje nuk foli as opozita që zakonisht flet për gjithçka dhe as Kryeministri, të cilit po i akuzohej aleati kryesor. Nuk tha askush nëse sms-ja qëndron apo është e manipuluar; nëse fakti është fakt apo jo, por i gjithë debati u përqendrua se kush ia bën Metës dhe pse?! Edhe unë besoj se këtë, Ilir Metës ia bën dikush. Nuk besoj se është çështje drejtësie, sepse drejtësia mund të reagonte me vepra vetë. Madje Prokuroria e ka mbyllur dosjen dhe për 7 vjet për të nuk u kujtua askush. Përse u hap tani?! Ka shumë vetë që mendojnë se ia bën Rama, ka që mendojnë se ia bën PD-ja. Ka të tjerë që mendojnë se në lojë është Dritan Prifti apo Tom Doshi. Mund të mendoj edhe unë si ata. Por ky është opinion. Kush ia bën dhe përse është e dyta. I pari është fakti dhe pyetja, a duhet që një emision të ndalojë një gazetar që vjen me dosje në dorë dhe publikon një fakt. Meqenëse ka qëlluar që Meta të përmendet në dy emisione dhe meqenëse ka shumë vetë që mendojnë se këtë ia bën Rama (Mbase është edhe kjo e vërtetë), po i kujtoj se po në Opinion doli çështja e makinës së Tahirit dhe ai u detyrua ta pranojë live. Po në këtë rast, ishte Meta që ia bëri Tahirit apo Basha?

Pak kohë më pas kur Basha kërkoi të publikohej një intervistë e oficerit të policisë Zagani që sipas tij, gjithnjë sipas tij, nuk e publikonte kush, unë iu përgjigja menjëherë pozitivisht. Madje live. Intervista u transmetua për tri emisione rresht dhe pati një vëmendje mediatike impresionuese. Edhe në këtë rast më shumë u komentua se përse u transmetua intervista se sa vërtetësia e akuzave të Zaganit. Intervista përmendte Ramën dhe Tahirin. Sipas logjikës së komenteve sërish duhej pyetur: Po këtë kush po ia bën Ramës dhe Tahirit?

Ajo që me gjasë nuk e kupton politika është se “kush ia bën kujt”, për një gazetar nuk ka asnjë rëndësi. Personalisht komentet s’më kanë shqetësuar kurrë e madje i kam lexuar me zë. Mund të jemi i vetmi emision në Shqipëri në studion e të cilit është kritikuar edhe Klani edhe drejtues të televizionit, madje edhe drejtuesi i emisionit vetë. Kjo e ka bërë emisionin më të ndjekur e më të hapur. Dhe unë besoj se për këtë arsye vijojmë prej 19 vitesh në transmetim!

Është mirë që protagonistët politikë sulmojnë dhe nxjerrin abuzimet e njëri-tjetrit. Ndaj kam një sfidë publike. Kushdo qoftë, gazetar apo politikan që ka diçka për të denoncuar është i mirëpritur në Opinion! Qoftë kushdo personi i përmendur në dokumentet që ai disponon. Nëse Rama ka dokumente për Bashën apo Metën; nëse Meta ka dokumente për Ramën apo Bashën; nëse Basha ka dokumente për Ramën dhe Metën, mirëardhshin! Studion e kanë të hapur. Mund të sjellin çfarë të duan dhe nuk i censuron askush. Nuk ka asnjëherë rëndësi kush e bën denoncimin, por sa i vërtetë është ai. Në do ta ndihmojmë këtë denoncim duke hapur një rubrikë të veçantë edhe në “Opinion.al” që nesër.

Së fundmi, një përgjigje ndaj asaj media që shkruante se gazetari Artan Hoxha nuk do shkelë më në studion e emisionit tonë nga urdhri që kanë dhënë njerëzit e fuqishëm në këtë vend. Ai do jetë aty sa herë ne të kemi nevojë dhe sa herë ai ta pranojë ftesën tonë. Duke nisur që nga kjo dosje. Opinion nuk varet nga humori i partive dhe partitë kanë vetëm një mundësi ta ndikojnë atë. Të shprehin mendimet e tyre në studio. Për këtë nuk do t’i ndalojë kush.

Ndaj i kthehem sërish sfidës së parë?! Keni dokumente dhe denoncimi, sillini te ne…