Ed Zalla njihet në Durrës si personifikim i futbollit.
Ai respektohet për mendimin e shprehur kritik për sistemin e fubollit që aplikohet në vendin tonë, por edhe për rezervat që ka për funksionimin e akademive të futbollit të ngritura pranë klubeve.
I formuar si futbollist gjatë periudhës 1968-1974 me brezin e parë të ekipit të mjeshtërisë “Shkëndija”; më pas trajner i ekipeve të të rinjve dhe të të rriturve “Shkëndija” e “Lokomotiva”; drejtues i shkollës së Mjeshtrisë së Spoortive në Durrës; Ed Zalla vazhdon të ruajë po atë lidhje gati gjenetike që e shfaqën 10 futbollistët me të njejtin mbiemër, ku ai dallon veçmas një njeri: babain e tij Ali Zalla.
“Baba luajti futboll me ekipin “Puna” të Durrësit përkrah futbollistëve me emër si Raq Manushi, Mustafa Bratja e Banush Pasha. Kur u grumbullua me ekipin kombëtar ai sakrifikoi shëndetin e tij nga dashuria për futbollin.
Në shtëpinë tonë tregohet edhe tani fjala e tij: “Jetën e jap, po futbollin nuk e le” – tregon Edi mbi lidhjen e tij të hershme me atë që e konsideron “pasion dhe andërr”.
Hapat e parë me topin Edi i hodhi nën kujdesin e trajnerëve Petraq Ikonomi dhe Filip Xhai, ky i dyti figurë mjaft popullore e pasionante.
70-vjeçari Ed Zalla sjell kujtime mjaft interesante nga krijimin i shkollës së mjeshtrisë “Shkëndia”, ku të rinjtë u përzgjodhën pas konkurseve në rrethe.
“Gjithçka ndodhi pas barazimit 0-0 me nënkampionët e botës, Gjermaninë Federale në vitin 1967 – tregon durrsaku.
Trajneri Zyber Konçi ia doli ti mbushë mendjen drejtuesve të shtetit mbi nëvojën e një shkolle të specializuar për futbollin.
“Viti ynë shkollor ka nisur më 15 janar 1968 dhe është mbyllur në qershor.
Koncepti i shkollës ishte i jashtëzakonshëm, thotë Zalla, duke shtuar se ngarkesa fizike për djem 15-16-vjeçarë me 16 seanca stërvitore në ditë ishte çmenduri. E në fund të hash çaj me djathë – kujton ai vitet e “Shkëndisë”, ekipi që për një kohë shumë të shkurtër krijoi një emër shumë të madh.
“Baza e futbollit është shkolla, dhe sipas literaturës organizmi duhet ta përballojë ngarkesën.
Për fat të keq studimet teorike ishin të pakta – vlerëson Ed Zalla, i cili prej kohësh e ka mbështetur te librat punën e tij në fushë.
Pas përfundimit të ciklit 7-vjeçar të shkollës, Ed Zalla vjen në Durrës dhe i kushtohet studimit.
Pas katër vitesh si drejtor i Shkollës së Mjeshtrisë Sportive që u hap në mesin e viteve ’80, ai bëhet një nga trajnerët e parë profesionistë të vendit, mbështetur kryesisht në provimet e anës teorike dhe gjuhët e huaja.
Zalla drejton ekipin e futbollit “Lokomotiva” në fund të viteve 1980.
Në vitin 1990, kur ekipi ndryshoi emrin në “Teuta”, Ed Zalla bëhet nismëtar i formimit të klubit sportiv “Durrësi”.
Gjithçka morri formën zyyrtare dhe filloi të funksiojë si një mundësi për të patur dy shkolla alternative dhe më shumë sportistë cilësoorë – shprehet Zalla, i cili, nuk e quan dështim nismën e tij dhe të bashkëqytetarëve.
“Ishte një fatkeqësi për qytetin, pasi nuk mundëm të krijojmë një mundësi të dytë sportive – siguron ai. Nuk do të ishte mrekulli një derbi durrsak? – shton më pas.
Përvoja e tij e fundit në institucione si inspektor i sporteve ishte bashkia e Durrësit.
“Për fat të keq mungonte pasioni dhe “betejat” e mija me drejtuesit e bashkisë për pishinën, pallatin e sportit dhe fushat sportive shkuan dëm. Por të paktën nuk ndenja indiferent – thotë me keqardhje Ed Zalla.
Nuk janë të pakët specialistët apo drejtuesit e klubeve që kërkojnë këshillën e Zallës. Të gjithë e dijnë se ai lexon të paktën dy orë në ditë; i nënshtrohet vetë stërvitjes, dhe është gjithnjë në gatiishmëri për futbollin, sportin të cilin e adhuron.
Punon gjatë për krijimin e ekipeve të para me moshat 6-7 vjeç.
Kur e pyet për siistemin e ekipeve zinxhir pranë klubeve ai shprehet: “Akademi është emër i madh, por sektori i të rinjve dhe fëmijëve punojnë në mënyrë krejtësisht teknokrate. Mungon shkolla, dhe gjithçka mbështetet te stërvitja”.
Disa muaj më parë trajnerit të pasionuar i propozuan të drejtojë ekipin kombëtar U-21, por ai i beson më shumë një sistemi stërvitor të bazuar në teorinë e futbollit.
Ed Zalla është një shembull i drejtpërdrejtë për bashkëqytetarët.
Lëviz gjithnjë në këmbë ose me biçikletë me devizën: farmacitë aty janë, le të shkojmë sa më vonë.
Sfidat jubilare të 70-vjeçarit Ed Zalla
70-vjeçari Ed Zalla përgatitet për sfidën e radhës.
Larg syve të medias, së bashku me ing Viktor Dhëmgjini ai do të provojë të pedalojë me biçikletë drejt Prishtinës.
Sidoqoftë do të mjaftonin provat sportive që ai ka kaluar çdo pesë vjet, në përvjetorët e lindjes për të kuptuar lidhjen e tij me sportin.
10 vjet më parë, dy “çuna Durrësi” sfiduan përsëri veten dhe ia dolën.
Ed Zalla, 60-vjeçar dhe ing Viktor Dhimgjini u nisën me biçikleta nga Uji i Ftohët i qytetit të Pavarsisë dhe pesë orë më vonë, kur po ngrysej hynë në Sarandë, në qytetin e 40 shënjtorëve.
Më parë Ed Zalla kishte përshkuar me vrap distancën Tiranë – Durrës, 32 km, që janë gati një maratonë olimpike për një njeri, që jo vetëm kishte një gjysëm shekulli mbi supe, por që mbi të gjitha sportin e ushtron thjesht nga pasioni.
E po kështu në provën tjetër, kur sapo la prapa 55 vjet Ed Zalla, një emër i njohur për këdo në Durrës, ndërmorri një tjetër sprovë: këtë herë nga Durrësi në Shkodër me biçikletë.
Sfida e fundit e kishte emrin Vlorë – Sarandë, mbi 100 km në kthesa, ngjitje e zbritje, të cilat përgjithësisht i shmangin edhe çiklistët profesionistë.
Duket një fjalë goje, por më shumë se vetë gara, problemet lidhen me organizimin e saj. Nuk është e lehtë të vraposh apo të pedalosh në rrugë të cilat përshkohen çdo ditë nga qindra automjete të tonazheve të ndryshme, nga autoveturat deri te autobuzët.
Viktor Dhimgjini, një nga arkitektët më të njohur të vendit tonë ka veshur kaskën e çiklistit dhe ka pedaluar plot 102 km pranë Ed Zallës, deri kur finishi i padukshëm buzë detit në Sarandë ka vlerësuar me notë maksimale kurajon dhe vullnetin e tyre. Nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi, ka qenë tepër e vështirë, por Edi dhe Tori ia kanë dalë si gjithmonë, duke lënë pas mungesën e besimit që ndokush nën zë e kishte përkufizuar edhe “çmenduri”, siç është e lehtë të japësh “pazare” nga lokalet me tym duhani e avuj alkoli.
Shpesh herë themi se të rinjve tanë u mungojnë modelet dhe se e kanë vështirë të gjejnë personazhe, të cilët duhet ti ndjekin.
Nuk besoj se mund të ketë modele më të mirë për djelmoshat dhe vajzat durrsake se sa Ed Zalla dhe Tor Dhimgjini, të cilët ushtrojnë pasionin e tyre pa nevojën e palestrës së përkyer.
Bregu i detit, futbolli në rërë, biçikleta, janë alternativat pa shpenzime të dy njerëzve, të cilët gjejnë kohën për tu marrë me sport, gjejnë kohën të qëndrojnë e të luajnë me miqtë, edhe kur në palcën e dimrit nuk heqin dorë nga “kalçeto” e së djelës në sektorin Iliria, apo atëherë kur në erë e në diell vrapojnë pa pushim nga muri i portit te muri i “Bllokut”.
Fatmirësisht, nuk janë të vetmit.
Gëzim Kabashi