Italia është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë e stuhi, të cilat kanë duke shkaktuar 5 të vdekur deri tani si dhe shumë dëme në qytete të ndryshme.

Por moti i keq pritet të shkaktojë probleme edhe në portin e Durrësit, pasi qyteti bregdetar parashikohet të preket nga stuhia që ka përfshirë Adriatikun mëngjesin e së martës.

Si pasojë e motit të keq, porti i Barit në Itali është mbyllur pasi era arrin shpejtësinë 120 km/orë.

Kapiteni i portit të Durrësit, Taulant Allka, bën të ditur për DurrësLajm se për shkak të detit të trazuar, që arrin forcën deri 8-9 ballë, tragetet nuk do të nisen në oraret e zakonshme.

Tragetet A/F Franchesca dhe F/B Bari do të nisen nga porti i Barit në orën 07.00 të ditës të martë dhe jo mbrëmjen e sotme.

Ndërkohë tragetet Rigel 3 dhe AF Marina do të nisen nga Durrësi rreth orës 03.00 të mëngjesit.

Të njëjtat burime nga Kapitaneria bëjnë të ditur se mjetet e tonazhit të mesëm dhe peshkarexhat nuk do të lejohet të udhëtojnë. Madje prej dy ditës ato qëndrojnë të ankoruara në kalatë. Vetëm pasditen e së martës pritet përmirësimi i motit.

K.H.