Këto janë pamjet që “DurrësLajm” sjell nga pjesa e përparme e vilës së Armand Dukës në Durrës, një ditë pasi shpërtheu një sasi tritoli në portën e oborrit.

Dy efektivë policie qëndrojnë përpara vilës, teksa porta e jashtme është rrethuar me shirit, ndërsa dëmet që ka lënë shpërthimi janë të dukshme në portën e oborrit.

Nga kjo ngjarje nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Brenda banesës në momentin e shpërthimit mësohet se ka qenë bashkëshortja e Dukës së bashku me djalin, ndërsa vetë kreu i FSHF-së deklaroi se ka qenë në stadium në momentin e ngjarjes.

“Në banesë ka qenë djali dhe gruaja. Nuk ka dëmtime në njerëz, porta është larg nga banesa por ka qenë shpërthim i madh”, deklaroi ai për gazetarët në Durrës.

Duka tha se kamerat e sigurisë kanë filmuar personin që ka hedhur lëndën plasëse, i cili ka qenë një person me kapuç, ndërsa shtoi se policia është mjaftueshëm e aftë për t’i zbuluar vetë autorët, duke mos u prononcuar për ndonjë person mbi të cilin ka dyshime se fshihet pas këtij shpërthimi.

Deri më tani mësohet se nuk ka asnjë të shoqëruar në polici, teksa grupi hetimor ka marrë kamerat e sigurisë për të hedhur dritë më shumë mbi lëvizjet dhe identitetin e autorit.