Ishte ende maturante kur iu besua roli i protagonistes në filmin “Ngjadhnjim mbi vdekjen” (viti 1967). Me rolin e Mira Koranit (që përfaqësonte heroinën Bule Naipi), ajo do të korrte një sukses të madh. Do t’i përkushtohej më pas për shumë vite kinematografisë si aktore, regjizore dhe mjeshtre montazhi. Në vitin 1991 do të largohej së bashku me familjen drejt Greqisë.
Në 9 tetor të këtij viti do të vinte në sallën e odeonit “Nikolin Xhoja” për të prezantuar vëllimin e saj me tregime “Rrëfimet e Athinës”. Megjithëse shumë vite kanë kaluar, Eglantina Kume do të rikthehej mes miqve të saj dhe artdashësve durrsakë me po atë sharm që e kishte bërë aq të famshme dikur në rrethin e saj shoqëror e më gjerë.
U rikthye me disa sekuenca të shkëputura nga filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen”, që ngritën siparin e mbrëmjes letrare, por u rikthye edhe me prezencën e saj fizike, që i kishte munguar prej shumë kohësh qytetit dhe miqve të saj.
“Rikthim në qytetin tim” titullohej mbrëmja letrare që u zhvillua nën kujdesin e bibliotekës publike të qytetit. “Kur kthehesha më parë në këtë qytet ndihesha e huaj, ndihesha si në ajër, sepse shihja njerëz të rinj, ndryshime të shumta. Por sot mes jush unë e ndjej që qyteti im më ka ende vajzën e tij. Ndihem mirë që kompasti e plotësoi rrethin e tij dhe unë u riktheva sërish në Durrës”,- tha e emocionuar Eglantina gjatë mbrëmjes.
Ashtu si shumë emigrantë të tjerë, të detyruar të ndërmarrin rrugën e mërgimit në kërkim të një jete më të mirë, Egla është përpjekur të bëhet dikushi atje, të lërë një gjurmë sado të vogël të prezencës së saj, në kryeqytetin grek, djepin e kulturës europiane.
Rrëfimet e Athinës
Më shumë se 20 vite jetë larg vendit të saj nuk kishin sesi të mos linin gjurmë tek Egla, siç i pëlqen ta thërrasin shokët dhe miqtë e saj. Ato copëza jete të jetuara prej saj ose shqiptarëve të tjerë që ka njohur në Greqi është përpjekur t’i sjellë përmes tregimeve të përmbledhura në vëllimin “Rrëfimet e Athinës”. Thuajse në të gjitha tregimet lidhja mes vendit të origjinës dhe shtetit ku ka jetuar për një kohë të gjatë është e pranishme.
Edhe kur ngjarjet zhvillohen në Athinë, përmes retrospektivës autorja kthehet në vendin e saj, në qytetin e saj, në rrugicat ku është rritur, në historitë e përjetuara nga ajo vetë apo të njohur të saj. “Unë shkruajta për historitë dhe dramat e emigrantëve shqiptarë, por jam dhe vetë mes atyre tregimeve”,- rrëfen Eglantina. Deri tani Egla ka sjellë për lexuesin shqiptar tre vëllime me poezi: “Dy pika qiell”, “Lajtmotiv”, “Poezi” dhe librin me tregime “Mos”.
Punonjësi i blibliotekës, Enton Bido, gjatë fjalës së tij theksoi se “proza e Kumes është e karakterizuar nga një gjuhë e thjeshtë me nota lirizmi, këto të fundit duket se janë ndikime nga poezia. E kaluara, mërgimi dhe përditshmëria janë tematikat kryesore që ndeshen në tregimet e këtij vëllimi”.
Ndërkohë tregimtari i ri Loer Kume, njëherazi nip i Eglantinës, rrëfeu para të pranishmëve se ishte halla e tij ajo që e shtyu të mos studionte në Akademinë e Arteve për regjisurë, por t’i përkushtohej mjekësisë dhe në të njëjtën kohë ishte po ajo që vite më vonë i tregoi se njeriu në jetë nuk është i destinuar të bëjë vetëm një gjë, por mund të bëjë njëkohësisht disa gjëra dhe të arrijë t’i bëjë mirë ato. Moderatorja e kësaj mbrëmje, Teuta Dhima, solli përmes një interpretimi të ndjerë dy poezi të Kumes, botuar në vëllimet e saj të mëparshme.
Rrëfimet e miqve
Dy nga momentet më interesante të mbrëmjes letrare kushtuar Eglantina Kumes ishin rrëfimet e dy bashkëmoshatarëve të saj, dy personaliteteve të spikatura në fushën e kulturës në qytetin tonë, gazetarit të njohur Thanas Mustaqi dhe poetit Bardhyl Agasi. Mustaqi, shok klase me Eglën që në 8 vjeçare nuk nguroi ta cilësonte atë një personalitet për qytetin e Durrësit.
Kur kthehesha më parë në këtë qytet ndihesha e huaj, ndihesha si në ajër, sepse shihja njerëz të rinj, ndryshime të shumta. Por sot mes jush unë e ndjej që qyteti im më ka ende vajzën e tij. Ndihem mirë që kompasti e plotësoi rrethin e tij dhe unë u riktheva sërish në Durrës
Me këtë rast Mustaqi u bëri apel shoqatave që e kanë kthyer në traditë nderimin e figurave të njohura të qytetit bregdetar, të mos lënë pa kujtuar Eglën, që ka dhënë një kontribut të shquar në kinematografinë shqiptare, por edhe në diasporë gjatë viteve që jeton në emigracion. Ai nuk la pa kujtuar se këtë durrsake të bukur e njihnin dhe e adhuronin shumë në Kinën e largët, ku filmi i saj “Ngadhnjim mbi vdekjen”, ka pasur një jehonë mjaft të gjerë. Katër emisione i janë kushtuar Kumes dhe filmit në radiot kineze, dhe vetë protagonistja ka qenë e ftuar në vendin aziatik.
Të njëjtën gjë theksoi dhe poeti Agasi, i cili kujtoi se gjatë një vizite në Kinë, në sheshin Tianmen kishte gjetur ornamente kineze që i ishin dedikuar këtij filmi, ndërkohë që shitësi i tyre i kishte folur me shumë pasion për aktoren shqiptare. “Përfitova nga rasti dhe u thashë për t’u mburrur dy bashkëshoqëruesve të mi se e kisha pasur shoqe klase Eglën, megjithëse nuk ishte e vërtetë kjo gjë”,- tha me humor Agasi.
Njëkohësisht ai theksoi se talenti i Eglës në aktrim ishte vënë re nga bashkëmoshatarët që kur ishin në vitet e gjimnazit dhe ajo s’kishte konkurent gjatë konkurseve të recitimit. “Kur ajo fitoi rolin e protagonistes në film atëherë u bë edhe më e paarritshme nga ne, që e konsideronim vajzën më të bukur në Durrës”,- shtoi ai.
Pengu i Kumes
Tek letërsia, të cilës i është dedikuar vitet e fundit, Kume duket se e ka gjetur më shumë vetveten, pasi siç u shpreh për “Dyrrah” është më e pavarur dhe ka një fushë më të gjerë veprimi, sesa në kinematografi. Gjatë gjithë kësaj periudhe ajo është përpjekur që poezitë e saj t’i botojë edhe në shtypin grek. Krahas kësaj ajo ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë letrare të komunitetit shqiptar jashtë atdheut dhe është anëtare e stafit të revistës letrare-artistike “Pelegrin” dhe fituese e çmimit letrar “Kadmus”.
Gjithsesi aktrimi dhe pamundësia për ta vazhduar atë rrugë mbetet edhe sot pengu i saj. Mungesën e madhe që ndiente brenda vetes nga braktisja që i bëri kinematografisë ajo është munduar ta shprehë në një tjetër formë, në një lloj tjetër arti, përmes shkrimit. Duket se “krimbi” i ka hyrë tashmë, pasi, siç rrëfen, ka në duar një dramë, që do të ketë një tematikë shumë të dashur për të, atë të emigracionit. Megjithëse është ende shpejt për ta vënë në skenë, Egla shprehet se nëse do të realizohet ky projekt do dëshironte ta shfaqte atë para publikut durrsak.
RETRO
Maturantja që u shndërrua në protagoniste filmi
Ishte viti 1967, kur maturantja Eglantina Kume, do të merrte pjesë në një film, që më vonë do të rezultonte roli më i rëndësishëm i karrierës së saj. Megjithëse nuk ishte aktore profesioniste, ajo arriti të përzgjidhej për të interpretuar rolin e Mira Koranit, që i referohej jetës dhe vdekjes së heroinës gjirokastrite Bule Naipi. Në një kast me aktorë shumë të njohur si Naim Frashëri apo Edi Luarasi, durrsakja e re do të shkëlqente duke realizuar një interpretim mjaft dinjitoz. Ndihmën e regjizorëve Piro Milkani dhe Gjergj Erebara, që i dhanë mësimet e para teorike mbi artin, Egla do t’i kujtonte më pas si leksionet më të çmuara. Por filmi i saj i parë do të ishte sa fatsjellës aq dhe i mallkuar. Megjithëse një film i realizuar mirë artistikisht ai u ndalua të shfaqej, pasi protagonistja tjetër Edi Luarasi u përjashtua nga teatri dhe kinostudio, për shkak se nuk pranoi të ndahej nga bashkëshorti i saj Mihallaq Luarasi. Megjithëse interpretoi edhe në filma të tjerë si: “Duel i heshtur”, “Yjet e netëve të gjata”, “Lugina e Peshkatarëve” etj Eglës nuk ju dha më rol protagonisteje. Më pas karriera e saj do të orientohej drejt regjisurës së emisioneve për fëmijë në TVSH dhe mjeshtre montazhi në filmat artistikë të prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”. Por atë famë që nuk e gëzoi në Shqipëri, ajo e fitoi në një vend që pak kush do ta mendonte. I dubluar në gjuhën kineze, filmi “Ngjadhnjim mbi vdekjen” do të shfaqej në televizionin shtetëror, duke i dhënë në vendin e largët një famë të paëndërruar më parë nga Kume.