TIRANE, 03 mars 2013– Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës ka hapur zyrtarisht aplikimin për 121 kuotat në shkollën doktorale. Pranë këtij fakulteti ka tetë fusha studimi, ku ofrohen diploma në ciklin e tretë të studimeve. Veç kritereve bazë që ka publikuar Universiteti i Tiranës për shkollën doktorale, ky fakultet ka edhe disa kritere të tjera shtesë. Përparësi Këshilli i Profesorëve të këtij fakulteti u ka dhënë aplikantëve që kanë një diplomë në fakultetet e ekonomisë në universitetet e vendit, por veçanërisht ata që kanë një diplomë në këtë fakultet. Po ashtu prioritet kanë kandidatët e angazhuar me kohë të plotë në mësimdhënie në Universitetin e Tiranës ose në ndonjë universitet tjetër publik në vend. Kategoria tjetër më e preferuar janë kandidatët e punësuar në institucione publike dhe private me profil kërkimor ose individë që kanë interesa kërkimore të provuara. Ndërkohë që kriter tjetër është mesatarja, e cila duhet të jetë mbi tetë, si dhe kërkohet që çdo aplikant të ketë njohuri shumë të mira të një gjuhe të huaj, ku preferenca kryesore është gjuha angleze. 

Kuotat&Kriteret 

 

Në Fakultetin e Ekonomisë janë shpallur 121 kuota për shkollën doktorale për vitin akademik 2012-2013, prej të cilave, shtatë fusha studimi si fusha e Ekonomiksit, Financës, Marketingut, Kontabiliteti, Menaxhimit si dhe Kërkime operacionale dhe Statistikë kanë nga 14 kuota secila. Ndërsa për doktoratat në fushën e Sistemeve të Informacionit në Ekonomi si dhe metodat sasiore ka vetëm 9 kuota. Në fushën e Ekonomiksit, Menaxhimit, Financës, Biznes dhe Kontabilitetit, Këshilli i Profesorëve të Fakultetit të Ekonomisë ka përcaktuar se titujt e kandidatëve që do të aplikojnë duhet të jenë si më poshtë: Diplomë e Nivelit II në Ekonomiks; Diplomë e Nivelit II në Biznes (Menaxhim, Financë etj); Diploma e sistemit të vjetër (4-vjeçar) në Ekonomiks; Diploma e sistemit të vjetër 4-vjeçar në Biznes (Menaxhim, Financë etj) plus Master Niveli II në Ekonomiks; Diplomë e sistemit 5-vjeçar në shkencat: matematikë, fizikë, inxhinieri, informatikë. plus Master Niveli II në Ekonomiks; Biznes, Menaxhim, Financë Titull, ose ndonjë tjetër studimi i fituar jashtë (pasi të jetë njohur nga institucionet shqiptare përkatëse). Pra, kriteri kryesor për të ndjekur këtë cikël studimi në Fakultetin e Ekonomisë është zotërimi i titullit në një fakultet ekonomie në universitetet brenda vendit. Kriteret dhe dokumentacionet e tjera që duhet të plotësojnë kandidatë janë të përbashkëta si në shkollat e tjera doktorale dhe afati i fundit i aplikimit është më 15 mars 2013. 

/e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb/