Dollari ka shënuar sot nivelin më të ulët të këmbimit ndaj monedhës vendase, që nga nëntori i vitit 2014. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 112.2 lekë, duke rënë me 0.47 lekë në raport me një ditë më parë.

Në fillim të vitit dollari këmbehej në tregun vendas me 129.7 lekë, rreth 17.5 lekë më shumë.

Rënia e dollarit lidhet kryesisht me zhvlerësimin e tij në tregjet ndërkombëtare, por edhe me faktin që euro në tregun vendas vijon të mbetet e dobët, pavarësisht se ajo po vlerësohet në bursat ndërkombëtare, duke tërhequr poshtë edhe dollarin.

Gjatë ditës së sotme, një euro u këmbye në bursat ndërkombëtare me gati 1.18 dollarë, nga gati 1.06 dollarë, që ishte në fillim të këtij viti.