Euro ra të mërkurën në nivelin e 122.85 lekëve, duke prekur nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro ka rënë poshtë nivelit të mëparshëm më të ulët të këtij viti, që ishte shënuar më datë 12 maj.

Në fakt, që prej muajit mars, leku ka qëndruar në pozita të forta dhe të qëndrueshme ndaj euros, pranë nivelit të 123 lekëve. Në analizën e ecurisë së kursit të këmbimit gjatë muajve të parë të 2021, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se leku ka krijuar një tendencë sezonale mbiçmimi kundrejt euros edhe në pjesën e parë të vitit. Që prej vitit 2015, muajt mars dhe prill karakterizohen nga një mbiçmim mujor i lekut ndaj euros, prej mesatarisht 0.2% dhe 0.4%. Përjashtim nga kjo sjellje bëri viti 2020, kur tregu valutor pësoi një goditje afatshkurtër nga pasiguria, me përhapjen e pandemisë në vend.

Me fillimin e sezonit veror, leku po jep sinjale të mëtejshme mbiçmimi, një tendencë e zakonshme sezonale, e lidhur me rritjen e ofertës së valutës së huaj gjatë muajve të verës. Këtë vit Shqipëria ka hequr të gjitha kufizimet për udhëtarët e huaj, me qëllim nxitjen e turizmit hyrës. Ky faktor mund të ketë filluar të japë një ndikim në flukset valutore hyrëse, sidomos nga vizitorët e vendeve të rajonit. Shpesh, në fundjava këtë vit kanë qenë tipike dyndjet e vizitorëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Në analizat e saj, Banka e Shqipërisë ka vënë në dukje se zgjatja e sezonit turistik ka bërë që ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit të jetë më i shpërndarë, duke prekur sidomos edhe qershorin dhe shtatorin.