Shqipëria dhe Kosova kanë normën më të ulët të tregtisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në rajon. Nga të dhënat e përpunuara nga portali “Our World in Data”, nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e fundit, ku norma e tregtisë ndaj prodhimit të brendshëm Bruto përllogaritet të jetë 73.6 për qind. Me më pak se një pikë përqindje më shumë renditet Shqipëria, ku tregtia ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet 74.3 për qind.

Në Malin e Zi, në Serbi dhe në Maqedoni, volumi i tregtisë tejkalon Prodhimin e Brendshëm Bruto, me një normë përkatësisht 107.9%, 109.2% dhe 113%.

Të dhënat për vitin 2016-n për Bosnje Hercegovinën ende nuk janë përditësuar, ndërsa në një vit më parë, tregtia ndaj prodhimit të Brendshëm Bruto ishte 88.2 për qind.

Në periudhën kohore 2006-2016, norma më e lartë e tregtisë ndaj prodhimit të brendshëm bruto u arrit në vitin 2011, ku sipas të dhënave ishte 90.8 për qind, favorizuar kryesisht nga eksporti i naftës dhe i mineraleve.

Tregtia në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është një tregues i rëndësishëm mbi tregtinë ndërkombëtare të një vendi. Ky tregues përllogaritet duke pjesëtuar vlerën e importeve dhe eksporteve agregate të një viti ushtrimor me Prodhimin e Brendshëm Bruto të së njëjtës periudhë. Zakonisht është i shprehur si përqindje. Treguesi përdoret si një matës i hapjes së një vendi ndaj tregtisë ndërkombëtare.

Kur ky tregues tejkalon 100 për qind, do të thotë që ekonomia është e orientuar drejt eksportit. Në përgjithësi shtetet që kanë një normë më të lartë se 100 për qind, importojnë mallra me vlerë të ulët dhe eksportojnë mallra me një vlerë më të lartë. Në Serbi dhe në Maqedoni në vitet e fundit po operojnë komani shumëkombëshe, të cilat kanë rritur eksportet në vlerë./monitor/