Brenda muajit Prill, të gjithë individët të cilët realizojnë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit, duhet që të plotësojnë deklaratën e të ardhurave personale pranë drejtorisë së Tatimeve. Alketa Çabej, punonjëse e kësaj strukture, thotë se nëse nuk plotësohet kjo deklaratë, atëherë ata mund të kenë probleme në të ardhmen lidhur me mënyrën se si e kanë gjeneruar pasurinë e tyre.

Të ardhurat që duhet të deklarohen nuk janë vetëm ato që vijnë nga paga, por edhe nga burime të tjera, si qiratë, interesat bankare, shitjet e pasurive apo bonuset që punonjësi merr në punë. Në momentin që nga këto para nuk është mbajtur tatim në burim, atëherë taksa do të vilet pas plotësimit të deklaratës individuale.

Këtë vit plotësimi i deklaratës së të ardhurave personale nuk do të reflektojë mënyrën e re të taksimit të pagave të larta, për të cilën parlamenti vendosi që të rritë pragun e tatueshëm në 150 mijë lekë për taksën 23%. Efektet e skemës së re do të zbatohen vitin tjetër, për të ardhurat e realizuara gjatë këtij viti. Vitin që shkoi individët paguan afro 3.9 milion dollarë nga deklarata individuale e tatimit mbi të ardhurat, duke rezultuar me një rritje prej 58% krahasuar me planin./Tv Klan