1.     Ilir Rusmali

2.     Eduard Halimi

3.     Viktor Gumi

4.     Enkelejd Alibeaj

5.     Dashnor Sula

6.     Arenca Trashani

7.     Nasip Naço

8.     Gent Strazimiri

9.     Paulina Hoti

10.   Ylli Lama

11.   Astrit Bushati

·        Mes tyre dy përfaqësues aktualë të qarkut të Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë: Gent Strazimiri dhe Eduard Halimi

·        Gent Strazimiri: Do të doja të falënderoja të gjithë specialistët, këta që janë prezent dhe ata që nuk janë prezent, që kanë marrë pjesë në këtë punë kaq të gjatë, të vështirë dhe delikate të përcaktimit të kufirit detar me Greqinë dhe, natyrisht, t’i përgëzoja për faktin që, siç e pamë të gjithë si me koordinata dhe nga pamja vizuale, asnjë metër katror apo asnjë gram ujë që i përket Shqipërisë nuk është falur, as nuk është shitur, as nuk është shpërdoruar. Besoj se të gjithë kolegët janë dakord

·        “Dyrrah”-u zbardh procesverbalin e 25 shtatorit 2009 të mbledhjes së komisionit të përhershëm parlamentar të ligjeve për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 23 maj 2015 – “Asnjë metër katror apo asnjë gram ujë që i përket Shqipërisë nuk është falur, as nuk është shitur, as nuk është shpërdoruar”, kështu, më 25 shtator 2015, deklaronte serbes deputeti aktual i Durrësit Gent Strazimiri kur në komisionin e Ligjeve diskutohej projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. “Dyrrah”-u (durreslajm.com) zbardh procesverbalin e panjohur për opinionin publik, ku 11 deputetë, mes tyre dhe dy aktualë të Durrësit Eduard Halimi dhe Gent Strazmiri, miratuan, në mungesë të opozitës së atëhershme, marrëveshjen që u nënshkrua më pas nga Ministrat e Punëve të Jashtme, të Shqipërisë Lulzim Basha, dhe të Greqisë, Dora Bakojani. Duke përjashtuar deputetin e Peqinit Dashnor Sula, që u “gërric” me ekspertët, të tjerët i thanë po asaj që ishte gatuar në Tiranë dhe Athinë.

E ftuar në komision, Ledia Hysi, në atë kohë drejtore juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shpjegonte: “Prej dy vjetësh [2007 – “Dyrrah”-u] kanë nisur negociatat me ekspertët grekë dhe është ngritur një grup pune me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Bujqësisë, Mjedisit, Transportit, Drejtësisë, pra të të gjitha institucioneve shtetërore”. Hysi u tha deputetëve se marrëveshja “ka përcaktuar dhe ka bërë parashikime për gjithçka, ndarjen e pasurive ujore e nënujore, mineraleve, ngritjen e platformave për shfrytëzimin e gazit apo naftës në det, dhe gjithçka tjetër”. Siç duket, për t’u shfajësuar para deputetëve, Hysi bën pohimin se “për momentin nuk ka asnjë lloj kompanie që shfrytëzon detin territorial, qoftë nga njëra anë, qoftë nga ana tjetër”. Po përmendim një fakt, që flet për pasaktësinë e deklarimit të funksionares së lartë të dikasterit të diplomacisë.

Por deputetët ishin tejet të pavëmendshëm me një deklarim të Hysit: “Greqia ka nënshkruar me Italinë, kështu që jemi në kontakte me ekspertët italianë dhe në një kohë shumë të afërt do të fillojnë negociatat ndërmjet tri palëve negociuese për përcaktimin e pikës së fundit”.

Kaq gjë duhet të ndikonte në moskalimin e projektligjit. Nëse Greqia me Italinë janë marrë vesh mes njëra tjetrës, nuk do të thotë se mund të lëshojnë pe në negociatat trepalëshe. Për më tepër kur fjala është për naftë! Nëse përfaqësuesit e ekzekutivit dhe legjislativit shqiptar lëshojnë pe, ka gjasa të mos ndodhë kështu me Romën. Nuk përjashtohet që rezultatet e sondimeve sizmike të kompanive britanike t’u vihen në dispozicion edhe italianëve. Kjo mund t’i hapë telashe jo vetëm shtetit shqiptar, por dhe në plan personal atyre që janë marrë me këtë “biznes”. Të gjitha këto hesape i prishi Gjykata Kushtetuese që anuloi marrëveshjen për kufirin detar.

DOKUMENTI

25 shtator 2009. Procesverbal i mbledhjes së komisionit të përhershëm parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

Drejton mbledhjen: Ilir Rusmali – kryetar.

Rendi i ditës: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Marrin pjesë: Ilir Rusmali, Eduard Halimi, Viktor Gumi, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Arenca Trashani, Nasip Naço, Gent Strazimiri, Paulina Hoti, Ylli Lama, Astrit Bushati. Mungojnë: deputetët e opozitës.

Të ftuar: Ledia Hysi – drejtore Juridike në Ministrinë e Jashtme; Miranda Zeka – drejtore e Institutit Gjeografik; Valeri Veriga – specialist në Ministrinë e Mbrojtjes.

HAPET MBLEDHJA

Ilir Rusmali– Fillojmë shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Ka ardhur nga Ministria e Jashtme zonja Ledia Hysi, drejtore Juridike në këtë ministri, zoti Valeri Veriga, specialist në Drejtorinë Juridike në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtoresha e Institutit Gjeografik të Ushtrisë dhe drejtoresha e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Greqinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ju urojmë mirëseardhjen! Kush nga ju paraprakisht do të prezantojë projektligjin?

Ledia Hysi –Që nga viti 2001, Shqipëria është palë e konventës së OKB-së për të drejtën e detit. Një nga detyrimet e kësaj konvente, e njohur tashmë botërisht, është: “Vendet që lagen nga i njëjti det duhet të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe”. Kjo për përcaktimin e detit territorial, zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental. Mënyra se si bëhet përcaktimi i kufirit detar, i shelfit kontinental dhe sistemet e matjes, janë të gjitha të përcaktuara në konventë. Bazuar në këtë dhe në faktin që në vitin 1997 ne kemi përfunduar një marrëveshje për ndarjen e shelfit kontinental me Italinë, ngelen dy vendet e tjera fqinjë që lagen nga i njëjti det, Greqia në jug nga deti Jon dhe Mali i Zi në veri nga deti Adriatik. Prej dy vjetësh kanë nisur negociatat me ekspertët grekë dhe është ngritur një grup pune me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Bujqësisë, Mjedisit, Transportit, Drejtësisë, pra të të gjitha institucioneve shtetërore. Në fund të fundit, aktiviteti në det, si dhe aktiviteti në tokë ka të bëjë me juridiksionin territorial dhe pak a shumë të gjitha institucionet janë të përfshira. Kuptohet që rolin kryesor e ka luajtur Instituti i Gjeografisë Ushtarake, që ka qenë institucioni që ka përgatitur hartat dhe koordinatat përkatëse. Negociatat kanë vazhduar pothuajse për dy vjet, ndërkohë që në preambul të marrëveshjes, të tëra referencat i bëhen Konventës së Montegobeit ku janë palë të dyja vendet. Ndërkohë që, si përcaktim i kufirit është përcaktuar vija mediane, që do të thotë vija që ka të njëjtën baraslargësi nga të dy brigjet. Mënyra e përcaktimit të të dy vijave në breg është, gjithashtu, e përcaktuar në konventë. Ne kemi përdorur metodën e kombinuar të vijës bazë dhe të vijës normale. Gjithsej kemi përcaktuar me vijë bazë të drejtë, tri gjire greke dhe pesë gjire shqiptare, të cilat janë mbyllur, ndërkohë që pjesa tjetër ka pasur vijën bazë normale ku është tërheqja e detit më e madhe. Në bazë të këtij përcaktimi janë caktuar 150 koordinata që ndajnë kufirin shqiptar dhe kufirin grek në det. Kjo bazë të përfshirjes së largësisë, duke nisur që nga deti territorial deri te shelfi kontinental. Kuptohet që negocimet dhe diskutimet kanë qenë të shumta. Dihet që në OKB kemi deklaruar, siç e parashikon edhe konventa, që deti territorial nuk mund të shkojë më shumë sesa 12 milje, ndërkohë që Greqia e ka të përcaktuar 6 milje. Për shkak të afërsisë që kemi ne me Greqinë është bërë përcaktimi i të tëra zonave, si i detit territorial, i zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental. Koordinatat janë përcaktuar sipas sistemit gjeodezik ËG 84, që është një sistem i njohur botërisht, dhe përputhen pothuajse pak a shumë edhe me hartat që ne kemi përcaktuar shelfin kontinental me Italinë. E papërcaktuar mbetet vetëm pika e fundit mes pikës 150, e cila është pika treshe që do përcaktojë ndarjen e kufirit ndërmjet Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë. E përmenda që kemi nënshkruar një marrëveshje me Italinë për ndarjen e shelfit kontinental. Greqia ka nënshkruar me Italinë, kështu që jemi në kontakte me ekspertët italianë dhe në një kohë shumë të afërt do të fillojnë negociatat ndërmjet tri palëve negociuese për përcaktimin e pikës së fundit, që do jetë koordinata e pikës 151. Kuptohet që marrëveshja, përveç referimet e parimet e Konventës së Montegobeit për të drejtën e detit, ka përcaktuar dhe ka bërë parashikime për gjithçka, ndarjen e pasurive ujore e nënujore, mineraleve, ngritjen e platformave për shfrytëzimin e gazit, apo naftës në det, dhe gjithçka tjetër. Thjesht zbatohen parimet e përgjithshme të konventës. Për negocimin e kësaj marrëveshje i jemi referuar, pothuajse, praktikës së të gjitha vendeve që kanë marrëveshje për ndarjen e shelfit apo të detit territorial.

Ilir Rusmali –Faleminderit, zonja Hysi! Ndonjë nga kolegët do të shtojë ndonjë gjë, apo t’i drejtohem komisionit? Nuk keni për të shtuar në prezantim. Anëtarët e komisionit kanë pyetje? Zoti Sula, po keni fjalën.

Dashnor Sula– Falemnderit, zoti kryetar! Sigurisht kjo marrëveshje, që po diskutojmë sot, është tepër e rëndësishme. Unë doja t’u shtroja dy pyetje specialistëve përkatës. Pyetja e parë do të konsistonte, duke pasur dhe njohuritë e mija të pakta në këtë fushë, doja të dija, për shkak të zhurmës së madhe që është bërë nga opozita dhe nga grupet e tjera të interesit, ne kemi pasur një vijë bregdetare, apo një kufi të ndarë me shtetin grek të mëparshëm? Dua të di a ka ndryshim nga kufiri i mëparshëm i përcaktuar sipas koordinatave në marrëveshjet e mëparshme që kemi pasur me shtetin grek, apo nuk ka ndryshime? Ndryshimet, në favor të kujt pale janë?

Së dyti, nuk kam të qartë, për sa i përket shfrytëzimit të hapësirave territoriale, bëhet fjalë për pasuritë nëntokësore të ujërave të këtyre hapësirave, që thuhet këtu në tekstin e kësaj marrëveshje, e kam fjalën për investime, të cilat mund të jenë bërë nga palët, qoftë nga pala shqiptare, qoftë nga pala greke. Këtu, në relacionin përkatës, thuhet se ato investime të bëra do të kompensohen. Kjo do të thotë se do të prishen kontratat mes subjekteve të caktuara, të cilat po shfrytëzojnë pjesët e ujërave territoriale?

Së fundi, thuhet që për pasuritë e shfrytëzuara pas këshillimit të mbajtësit të licencave të sipërpërmendura, do të arrihet një marrëveshje për kompensimin financiar, në përputhje me vijën ndarëse. Nga ku do nisemi që do të kemi një kompensim dhe në ç’sasi të vlerës? Ky është aspekti i pyetjes.

Ilir Rusmali –Faleminderit, zoti Sula! Atëherë fjalën e keni ju zonja Hysi.

Ledia Hysi –Faleminderit! Për sa i përket pyetjes së parë dhe zhurmës që është bërë në media, dua të vë në dijeni që asnjëherë kufiri detar me Greqinë nuk ka qenë i përcaktuar. Dihet që kufijtë tokësor janë përcaktuar me protokollet e Firences të vitit 1914, të qershorit dhe të dhjetorit, por kufijtë detarë kanë qenë gjithmonë të papërcaktuar. Media atëherë i është referuar një dekreti të vitit 1979, i cili përcaktonte si det territorial të Republikës së Shqipërisë 12 milje. Kuptohet kjo ka qenë përpara se Konventa e Montegobeit të hynte në fuqi. Me hyrjen në fuqi të Konventës së Montegobeit, përsëri vija territoriale ka qenë e përcaktuar jo më shumë se 12 milje, pra ne ngeleshim te 12 milje, po të padeklaruar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë që, prandaj e përmenda edhe më përpara, mund ta kemi 12 milje edhe me Italinë. Por me Greqinë në kanalin e Korfuzit është hapësira shumë e vogël, shkon 8 milje nga njëri breg në bregun tjetër. Në zbatim të parimeve të konventës do jetë 4 milje, nëse e ndajmë gjysmë për gjysmë. Kjo gjithmonë ka qenë në praktikë e zbatuar, dihej se anijet shqiptare do të kalonin brenda katër miljeve, për shembull, pa u futur në shifra se mund të jenë me presje dhjetore, pa u futur nga gjiri i Sarandës dhe nga pala tjetër deri te 4 milje nga gjiri i Korfuzit. Por kjo e pashkruar, pra jo ligjërisht e pranuar, ngaqë ka qenë një nga parimet e përgjithshme. Dihet që parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse të pashkruara, janë të zbatueshme, ka qenë e zbatuar si praktikë nga të dy shtetet. Kjo është hera e parë që përcaktohet kufiri detar ndërmjet dy vendeve tona.

Për sa i përket pyetjes së dytë, mënyrës së shfrytëzimit, për momentin nuk ka asnjë lloj kompanie që shfrytëzon detin territorial, qoftë nga njëra anë, qoftë nga ana tjetër. Këto janë parime të përgjithshme nëse fillon shfrytëzimi, sepse kuptohet, deri në momentin e hyrjes në fuqi, mund të mendohet që ndonjë kompani të bëjë kërkime apo shfrytëzime në nën det. Vet konventa e parashikon mënyrën se si bëhen kompensimet, për shembull, nëse shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore bëhet në territorin e një vendi, por burimin kjo pasuri e ka në territorin e vendit tjetër, atëherë duhet që para se të shfrytëzohet kjo pasuri të merret një miratim paraprak ose një licence nga vendi tjetër. Parashikimi i kompensimit bëhet pikërisht në bazë të këtij parimi, domethënë sa është shfrytëzuar, sa janë të ardhurat nga shfrytëzimi dhe kuptohet më e rëndësishme, që është pika bazë, është pyetja, burimi a është në anën tjetër të territorit, apo nuk është në anën tjetër të territorit? Gjithsesi, konventa kur është krijuar, përveçse ka një gjykatë për të drejtën e detit, ka krijuar dhe Autoritetin e Fondit të Detit që është një komision pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili përcakton pikërisht mënyrën se si funksionon shfrytëzimi i pasurive detare dhe nëntokësore. Kështu që, gjithmonë, në rast se çështjet nuk zgjidhen në mirëkuptim ndërmjet palëve, ka autoritete ndërkombëtare të pranuara nga konventa, të cilave mund t’u referohemi.

Ilir Rusmali –Ju iu përgjigjët dhe pyetjes së tretë, investime ekzistuese nuk ka dhe nuk ka as kompensime mbi to.

Ledia Hysi –Për momentin.

Ilir Rusmali –Faleminderit! Pyetje të tjera nga kolegët?

Eduard Halimi –Në nenin 6 të marrëveshjes keni përcaktuar si organ kompetent të zgjedhjes së mosmarrëveshjeve Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kujt gjykate i referohet konkretisht dhe nëse ne kemi aderuar jemi pjesë në konventën për të njohur juridiksionin e kësaj gjykate, se te Gjykata e Brukselit nuk jemi, ndoshta për këtë duhet specifikuar?

Ilir Rusmali –Faleminderit, zoti Halimi! Kush do të përgjigjet për këtë pyetje?

Ledia Hysi –Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një gjykatë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në momentin që ne jemi bërë palë në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kemi miratuar edhe statusin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që do të thotë se automatikisht jemi palë në këtë gjykatë. E përmenda që ka dhe një gjykatë të veçantë për të drejtën e detit, ku palët mund të drejtohen. Por praktika për referencë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë bëhet gjithmonë për të gjitha vendet që janë palë të OKB-së dhe gjithmonë në të tëra nenet, që nga preambula deri te hyrja në fuqi e marrëveshjes, i referohemi konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit. Gjykatat e tjera pastaj, kanë juridiksion tjetër, po kjo është ajo që palët kanë marrë përsipër që të drejtohen në rast se nuk zgjidhen konfliktet në rrugë paqësore.

Ilir Rusmali –Faleminderit! Po, zoti Sula, pyetja e fundit.

Dashnor Sula –Një pyetje të fundit do të kisha për përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse e shpjeguat edhe ju zoti kryetar, që i ka më të qarta koordinatat. Pyetja ime do të ishte, meqë është hartuar një marrëveshje dhe natyrisht që është kryer një volum i madh pune, a ka përfunduar hartimi i një harte konkrete? Ne këtu nuk e kemi, por atje ku ekziston, në Ministri të Mbrojtjes, a keni përpiluar një hartë konkrete?

Ilir Rusmali –Janë hedhur në hartë koordinatat?

Dashnor Sula –Që të jemi të qartë, se ky është kufiri dhe këto koordinata janë hedhur në hartë.

Ilir Rusmali – Faleminderit, zoti Sula! Ju e paskeni hartën me vete.

Miranda Zeka –Atëherë, unë duhet t’ju informoj se gjatë kohës që kemi punuar si grup pune, kemi pasur shumë diskutime, të cilat i kemi hedhur vazhdimisht nëpër harta. Kështu që nuk është një hartë, por janë disa që tregojnë se si ka qenë ecuria e diskutimeve, derisa kemi arritur në një hartë përfundimtare, e cila është këtu në sallë. Kemi pasur shumë probleme, të cilat i kemi zgjidhur diskutim pas diskutimi.

Ledia Hysi – Nuk e di, nëse mund të shtoj diçka. Neni 2 i marrëveshjes parashikon koordinatat, që i përmendëm, dhe janë 150 të tilla. Marrëveshjes nuk i bashkëlidhet harta, po t’u referohemi të gjitha marrëveshjeve dypalëshe që kanë vendet, se kjo marrëveshje depozitohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara mbas ratifikimit nga të dyja vendet. Marrëveshja asnjëherë nuk ka hartën bashkëlidhur. Përse? Sepse sistemet gjeodezike të hartave mund t’i ketë një vend të ndryshme nga vendi tjetër, por përcaktimi në marrëveshje i sistemit gjeodezik, si dhe i koordinatave bën që çdo njeri që është i interesuar, në programin përkatës kompjuterik, vë koordinatat dhe automatikisht i del harta. Për sa kohë koordinatat janë të përcaktuara në marrëveshje, do të thotë që të dyja palët kanë rënë dakord, do të thotë që kjo është harta edhe pse nuk është hartë fizike bashkëlidhur marrëveshjes.

Ilir Rusmali –A mund të na e shpjegoni, çfarë është sistemi gjeodezik? Dhe në krahasim me sistemet e tjera është më i mirë, apo më i keq?

Miranda Zeka – Sistemi gjeodezik ka të bëjë me bazën matematike të hartës, ku futet edhe projeksioni. Në bazë të projeksioneve që përdoren, projeksionet lidhen me shformimet që mund të ketë harta, disa ruajnë sipërfaqet, disa ruajnë këndet. Domethënë, në bazë të projeksionit dhe lipsoidit të përdorur, hartat, pavarësisht se mund të paraqesin të njëjtën sipërfaqe, kanë figurime të ndryshme. Sistemi shtetëror i koordinatave në Shqipëri është sistemi i vitit 42, i cili ka të bëjë me sistemin lindor. Ndërsa sistemi ËG 84 është sistem botëror dhe sa herë që ka diskutime mes shtetesh, punohet pikërisht me këtë sistem, në mënyrë që baza matematike të jetë e njëjtë dhe të kesh mundësi t’u referohesh atyre që diskutohen. Nëse nuk do të jetë bazë e njëjtë matematike, nuk mund të negociohet dhe nuk mund të thuhet që është bërë punë e saktë, në qoftë se gjithsekush do të përdorë sistemin shtetëror të koordinatave, flas midis shteteve. Në qoftë se Greqia ka një sistem dhe një kemi një tjetër nuk mund të punohet, prandaj kemi zgjedhur sistemin botëror të koordinatave.

Ilir Rusmali –Faleminderit, zonja drejtoreshë! A ka diskutime? Po, zonja Hoti.

Paulina Hoti –Desha të di, ky sistemi gjeodezik është i njëjtë për Shqipërinë dhe për Greqinë, duke iu referuar marrëveshjes, atëherë, nëse është i njëjtë, përse nuk kemi një hartë të përbashkët? E kuptova që nuk mund t’i bashkëngjitet konventës dhe marrëveshjes, sepse dërgohet në OKB dhe në vende të tjera mund të ndryshojë, por ne flasim për një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe kemi një sistem të përbashkët. Qoftë për miratimin mes të dyja shteteve palë të kësaj marrëveshjeje, a nuk mund të kemi një hartë të përbashkët që mund të mos depozitohet në OKB, por të paktën ne të miratojmë një hartë sot. Nesër mund të ndryshojë sistemi gjeodezik, mund të ndryshojë edhe harta. Po ne kemi një hartë të përbashkët në momentin që ndryshon sistemi gjeodezik ndryshon edhe harta dhe do një miratim të dytë, apo jo?

Ilir Rusmali –Faleminderit, zonja Hoti! Të përgjigjet zonja Zeka.

Miranda Zeka –Harta që kemi përdorur është hartë e përbashkët dhe e miratuar nga të dy palët, ajo do të jetë dhe nuk kemi përse të përdorim sisteme të ndryshme. Kemi zgjedhur, pikërisht, sistemin botëror që të jetë i përbashkët.

Viktor Gumi –Shqetësimin e zonjës Paulina e shikoj në këtë këndvështrim, pavarësisht se si është praktika ndërkombëtare në OKB depozitohet apo jo harta, në Kuvendin e Shqipërisë një dokument zyrtar me hartë bashkëlidhur kësaj marrëveshje duhet të ekzistojë, përndryshe s’mund të miratosh koordinatë.

Ilir Rusmali –Siç na treguat librin, unë do t’ju lutesha të na tregonit hartën, faqen e librit, e para. E dyta, besoj se jemi të gjithë dakord, neni që bënë fjalë për koordinata i referohet pikave precize. Pika, e dini ju seç është, nuk po e them unë. Në qoftë se do të marrim dhe do të përdorim shkallë zvogëlimi në një hartë dhe harta punon me shkallë zvogëlimi pika nuk është më pikë. Pika në hartë është një kilometër, do të thotë në qoftë se ne duam saktësinë e dokumentit na duhet koordinata, në qoftë se duam të kemi pamje vizive na duhet harta. Harta nuk mund të jetë kurrë më shumë e rëndësishme sesa koordinata dhe harta nuk e zëvendëson dot koordinatën. Për nevojën që kanë anëtarët e komisionit, mund të na e tregoni, ta shohim vizualisht hartën, e keni apo jo?

(Debat në sallë)

Ledia Hysi –Nuk e di në qoftë se mund të shtoj edhe diçka tjetër, thjesht për saktësi? Ju përmendët se në qoftë se ndryshon sistemi gjeodezik, ndryshon dhe harta. Nuk ndryshon harta, se i bie që të dyja palët të kenë të njëjtin sistem dhe koordinatat janë të njëjta, vetëm ndryshon paraqitja, por si hartë dhe si largësi mbeten të gjitha njësoj. Mënyra se si procedohet, koordinatat e futura në sistem nxjerrin hartën.

Ilir Rusmali – Hartën, që ne do të varim te zyra e komisionit, do ta prodhoni pasi të hyjë në fuqi ky ligji?

Miranda Zeka –Sigurisht. Do ta hartojmë, pasi ta kemi miratuar. S’mund të hartojmë një hartë të pamiratuar më parë.

Ilir Rusmali –Shumë mirë. Shumë e drejtë. Ju mund ta mbyllni librin.

Dashnor Sula – Ne kërkuam hartën e asaj ç’ka po diskutoni ju, që pasi ta shohim ta miratojmë. Hartën e kufirit detar që përcakton marrëveshjen me Greqinë. Kaq kërkuam. Nuk kërkuam hartën e Shqipërisë.

Ilir Rusmali –Zoti Sula, harta e kufirit detar është ai libri i madh atje.

Dashnor Sula –Po mos të thonë që do ta sjellin pasi të miratohet.

Ilir Rusmali – Iu referua pyetjes time dhe pyetja ime nuk kishte lidhje me atë librin, kishte lidhje me diçka tjetër. Diskutime nga kolegët? Po, zoti Strazimiri.

Gent Strazimiri –Më shumë se diskutim, unë do të doja të falënderoja të gjithë specialistët, këta që janë prezent dhe ata që nuk janë prezent, që kanë marrë pjesë në këtë punë kaq të gjatë, të vështirë dhe delikate të përcaktimit të kufirit detar me Greqinë dhe, natyrisht, t’i përgëzoja për faktin që, siç e pamë të gjithë si me koordinata dhe nga pamja vizuale, asnjë metër katror apo asnjë gram ujë që i përket Shqipërisë nuk është falur, as nuk është shitur, as nuk është shpërdoruar. Besoj se të gjithë kolegët janë dakord. Ju faleminderit dhe një herë për pjesëmarrjen!

Ilir Rusmali –Faleminderit, zoti Strazimiri! Meqenëse nuk ka diskutime të tjera, atëherë miratojmë në parim projektligjin. Kalojmë te shqyrtimi nen për nen i projektligjit. Neni 1. Ka pyetje? Diskutime? Nuk ka. Kush është dakord? Kundër? Abstenim? Miratohet. Neni 2. Ka pyetje? Diskutime? Nuk ka. Kush është dakord? Kundër? Abstenim? Miratohet. Atëherë, e hedhim në votim në tërësi projektligjin. Kush është dakord? Kundër? Abstenim? Miratohet edhe në tërësi projektligji. Falënderoj përfaqësuesit e ekzekutivit që ishin sot me ne!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/