Bllokimi i zgjatur i punës së Kuvendit të Kosovës po sjell pasoja të rënda për ekonominë e vendit, duke rrezikuar humbjen e fondeve ndërkombëtare që kapin vlerën mbi 1 miliardë e 200 milionë euro.

Si rezultat i dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, investimet kapitale janë ndalur, projektet e mëdha po vonohen dhe klima e investimeve është përkeqësuar ndjeshëm.

Në konferenca për media, analizë ekonomike dhe deklarata të zyrtarëve politikë e të biznesit, po theksohet se Kosova po përballet me një bllokadë të thellë institucionale, që rrezikon jo vetëm stabilitetin politik, por edhe zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian.

900 milionë euro nga BE dhe 220 milionë nga MCC, në rrezik

Sipas presidentes së vendit, Vjosa Osmani, moskonstituimi i Kuvendit po vonon disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian, që përfshin rreth 900 milionë euro për Kosovën. Këto mjete synonin mbështetjen e reformave dhe projekteve zhvillimore në vend.

Gjithashtu, mbi 220 milionë euro nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), të dedikuara për infrastrukturën energjetike dhe zhvillim ekonomik, janë në rrezik të mosrealizimit.

Ekspertët: Pasoja të pakthyeshme për ekonominë

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e cilësoi situatën si “katastrofike”, duke theksuar se po dëmtohet rëndë dialogu publiko-privat, bizneset po përballen me vështirësi të mëdha dhe prodhimi vendor është në rrezik.

“Kjo krizë institucionale po sjell pasoja në eksport, në ikje të kapitalit dhe po shkatërron besimin në prodhimin ‘Made in Kosovo’”, paralajmëroi ai.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, vuri në dukje se mungesa e Kuvendit po bllokon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe po rrezikon ndarjen e 880 milionë eurove nga Fondi për Rritje Ekonomike.

Shqetësime edhe nga opozita

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, deklaroi se janë 300 milionë euro të bllokuara nga mandati i kaluar për shkak të sanksioneve, ndërsa vonesat aktuale po pengojnë qasjen në fondet europiane prej 800-900 milionë eurosh, të dedikuara për investime në infrastrukturë dhe mjedis. Ngërçi politik vazhdon – Kuvendi i bllokuar te zgjedhja e kryetarit

Procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur në pikën e tretë të seancës: zgjedhjen e kryetarit. Kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje është refuzuar nga PDK dhe AAK, ndërsa LDK ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat nga VV.

Megjithë përpjekjet e Presidentes Osmani për ndërmjetësim mes partive, ende nuk ka një marrëveshje politike për të zhbllokuar Kuvendin. Deputetët po mblidhen çdo 48 orë, por pa ndonjë rezultat konkret.

Përfundimi i bllokadës, kusht për formimin e Qeverisë

Për të formuar qeverinë e re, duhet më parë të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe pesë nënkryetarët. Deri atëherë, Kosova mbetet pa institucione funksionale, pa vendimmarrje efektive dhe përballë rrezikut të humbjes së miliarda eurove në projekte jetike për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.