Ekspertët e mjedisit në Durrës, e cilësojnë alarmant nivelin e ndotjes në qytetin bregdetar. Shkaqet e identifikuara nga inspektorët: djegia e mbetjeve në ish-Kënetë ku grumbullohen mbetjet e qytetit dhe rrethinave, ndotja e detit nga derdhja e hidrokarbureve në 7 nëntor 2015, si edhe ndotja e ajrit nga qarkullimi i shtuar e mjeteve. Durrësi, qyteti bregdetar i shumë frekuentuar nga turistë vendas e të huaj ka identifikuar në terren disa pika të nxehta, ndotëse të ambientit.

Kryeinspektori i Mjedisit për qarkun e Durrësit, Jurgen Dashi, thotë për “Ora News” se niveli i ndotjes është alarmant, sidomos pas derdhjes së hidrokarbureve në det në 7 nëntor të vitit 2015. “Problematika që ne hasëm në këto kohët e fundit ishte edhe ngjarja që ndodhi në bregdetin e Durrësit ku një anije shkarkoi naftë e vajra, të cilat ndikuan shumë në bregdet. Ndërsa problematika kryesore për mua në Qarkun e Durrësit është në rrethin e Krujës, aty ku është bërë një katastrofë mjedisore që prej 10-15 vitesh, por që ne po mundohemi t’i rehabilitojmë ato zona”.
Por, sipas kryeinspektorit, Durrësi ndotet gjithashtu nga numri i lartë i automjeteve, kanaleve të hapura të ujërave të zeza që kalojnë përmes zonës së ish-Kënetës, si dhe pakësimi i gjelbërimit urban. Përqendrimi i grimcave PM10 dhe NO2 në Durrës, kalon standardet kombëtare dhe ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Ndotja problematike që ne kemi në qytetin e Durrësit është vend-grumbullimi i mbetjeve në Porto Romano. Ne po marrim masat tona në bashkëpunim me ndërmarrjen e Gjelbërimit duke bërë të mundur eliminimin e tymrave më problematikë”.

Helmet toksike që lëshohen nga asgjësimi i mbetjeve urbane këtu në zonën e Porto Romanos apo edhe ndotja masive e tokës në vendin ku grumbullohen pa e kuptuar, po vrasin në “heshtje” qytetarët durrsakë, vlerëson shefi i Shëndetit Mjedisor Nestor Memsuri.
Zona, një kamping i hapur dikur për strehimin e kosovarëve, sot është kthyer një vendgrumbullim mbetjesh urbane. “Djegia çliron substanca nga më të rrezikshmet që mund të diskutohet, që janë dioksinat të cilat sjellin probleme si sëmundjet kardio- respiratore deri në sëmundjen e shekullit që është kanceri. Kanalet e mbushura me mbeturina, në të cilat rrjedhin edhe ujërat e zeza ngaqë impianti që është, nuk e mbulon gjithë zonën e Durrësit, shkaktojnë probleme në shëndet. Ato janë kthyer në një vend grumbullim për kafshët e ngordhura e sjellin përhapje e epidemish, sëmundjesh të ndryshme. Ne si DRSH e Durrësit mund të monitorojmë vetëm në raste kur kemi lajmërime si nga Inspektorati etj. Mund të bëjmë ekspertiza mjekësore dhe të japim verdiktin tonë sa është impakti që këto kanë”.

Qindra studentë që studiojnë në korpusin “Aleksandër Moisiu”, i cili ndodhet ngjitur me vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, thonë se e kanë të pamundur të qëndrojnë në auditorë, për shkak të tymit të mbetjeve që digjen vetëm pak metra larg.
“Përveçse kemi probleme me gjelbërimin tani kemi një shqetësim madhor që është djegia e plehrave në zonën e Porto Romanos. Porto Romano ndodhet në veri të qytetit të Durrësit dhe në të ka një pjesë ku bëhet djegia e plehrave që grumbullohen në qytet. Praktikisht aty digjet çdo gjë që nga plehrat e konsumimit të përditshëm, deri tek ato industriale si goma makina, vajra makinash, fuçi me acide. Është skandaloze kjo situatë. Kemi lajmëruar institucionet përkatëse nëpërmjet protestave e reagimeve studentore qytetare, por asnjë masë nuk është marrë. Në momentet kur digjen plehrat, në momentet kur ne zhvillojmë leksionin, aty ndodh që vjen i gjithë tymi i djegies dhe bëhet praktikisht e pamundur që të zhvillohet leksioni. Detyrohemi që të mbyllim xhamat e kampusit që të zhvillohet leksioni”, tha studenti Artion Bajramaj.

Banorët kërkojnë nga autoritetet të ndërmerren masa urgjente për ngritjen e një landfilli për përpunimin e mbetjeve urbane, ndërsa krahasojnë pasojat në shëndetin e njeriut nga djegia e mbetjeve me efektin e një mine me sahat.
“Ti djegësh këto plehra do të thotë jo të ndotësh ambientin, por ta kancerizosh, ta vdesësh para kohe. Ta mbushësh spitalin me njerëzit e sëmurë, me fëmijë, kjo është papërgjegjshmëri e pushtetit lokal e qendror të cilët nuk e kanë vëmendjen te qytetarët e republikës, te qytetarët e vet. Ndotja e kanaleve është problem për gjithë qytetin e Durrësit. Gati të njëjtin raport ka edhe qyteti me ish-Kënetën për arsye se papastërtia në qytet, mbeturinat, mbushja e tyre, rikthimi i ujërave të zeza, do të thotë që qytetarët të mbajnë duart në hundë kur kalojnë. Por këneta është e veçanta e botës, kur mbi 100 kanale të ujërave të zeza shkelin pragun e shtëpisë së njerëzve, të cilët mbi 65% janë të sëmurë”, tha një tjetër banor.
Kryeinxhinieri i Drejtorisë së Shërbimit Komunal në Durrës, që bën transportin e mbetjeve të bashkisë së madhe drejt vendgrumbullimit, shpjegon se mbetjet digjen nga qytetarë që mbledhin çdo ditë kanoçe.
Megjithatë, Syri Gjergji pranon situatën alarmante, ndërsa shprehet se po shikohet mundësia e një menaxhimi më të mirë të mbetjeve, me më pak rrezik për popullatën.
“Të gjithë mbeturinat depozitohen në fushën plehrave në afërsi të Porto Romanos. Edhe kjo fushë administrohet nga ndërmarrja jonë. Ne nuk i djegim plehrat. Ndërmarrja jonë nuk ka asnjë leverdi dhe asnjë arsye përse t’i djegë. Por gjatë djegies së tyre që është konstatuar disa herë, ndërmarrja jonë ka reaguar me anë të zjarrfikëseve për shuarjen e zjarrit që krijohet nga banorët që punojnë aty brenda. Aty janë rreth 70 veta që grumbullojnë mbeturinat plastike etj. Është tamam vend depozitimi. Nuk plotëson asnjë kusht të landfillit. Prandaj qeveria dhe bashkia kanë miratuar një landifll të ri, që së shpejti do të fillojë nga puna”, thotë Gjergji.

Qytetarët thonë se paguajnë të gjitha taksat dhe kërkojnë shërbim cilësor. “Menaxhimi i plehrave këtu bëhet si në mesjetë, bëhet nëpërmjet përpunimit dhe djegieve. Pra larg standardeve që Bashkimi Europian ka lançuar në të gjithë vendet. Është një burim sëmundjesh, pasi nga djegia e tyre çlirohet dioksinë. Pastaj në vendet ku ndodh procesi si në Porto Romano banon një komunitet i madh, çka e rrit më shumë rrezikshmërinë e këtij vendi, e kësaj njolle. Madje mund t’ju them që në hartën mjedisit shqiptar, Porto Romano njihet si zona me pullë të kuqe. Edhe pse u larguan kimikatet nga kombinati kimik, përsëri plehrat e bëjnë atë një zonë të rrezikshme”, tha një qytetar durrsak.

Burime nga Bashkia e Durrësit thanë për “Ora News” se ka një projekt për ndërtimin e një landfilli të ri në zonën e Manzës, por për mungesë fondesh aktualisht nuk mund të realizohet.

Ndotësi tjetër i Durrësit, ujërat e zeza janë një tjetër kambanë alarmi. Situata është konstatuar edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit. “Kanalet e hapura janë problem që ndikojnë shumë në mjedis. Por së bashku me bordin rregullimit po merren masa për pastrimin tyre. Është bërë i mundur pastrimi i 50% të tyre, por duhet kohë që të pastrohet totalisht. Duhet të ndërgjegjësohen edhe banorët e zonës që mos të bëjnë ndotje nëpër kanalet pranë shtëpive, pasi këto kanale janë infektuese e mund të sjellin sëmundje si malarja”.

“Çdo përmbytje ka problemet e veta. Edhe ato janë materiale ndotëse që duke u tharë sjellin mikrobet bakteret e vijën sëmundjet”
Banorët e zonës së ish-Kënetës thonë se janë të ekspozuar nga sëmundje infektive, apo kancerogjene. Durrësi është qyteti i dytë pas Tiranës me numrin më të lartë të automjeteve, që cilësohen ndër faktorët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit prej institucioneve.
Gjithashtu dy muajt e fundit, derdhja e hidrokarbureve në det nga subjekte ende të paidentifikuara, që përfshiu 3.5 km vijë bregdetare, ishte një tjetër dëmtues i ekosistemit.

Marrë nga Ora News