Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë në Shqipëri dy persona të kërkuar për vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej të ekstraduarve është sjellë nga Kolumbia, ndërsa tjetri nga Italia, pas koordinimit të veprimeve mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Bogota dhe Romë.
Nga Kolumbia u ekstradua shtetasi kolumbian S. R. R., 53 vjeç, i arrestuar në këtë shtet, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për vepra të lidhura me organizatat kriminale.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2022 autoritetet shqiptare dhe ato malazeze shkëmbyen informacione për një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik, i cili kishte nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut në Greqi dhe kishte destinacion tranzit Malin e Zi, me marrës një shtetas shqiptar. Hetimet dyshojnë se S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike përgjatë këtij itinerari.
Nga Italia u ekstradua shtetasi shqiptar F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale.
Sipas Policisë, ndaj tij Gjykata e Dibrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve.
Ngjarja për të cilën akuzohet lidhet me një incident të vitit 2024 në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ku dyshohet se F. T. ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti verbal.
Ai rezulton gjithashtu i proceduar për “goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe është dënuar më herët për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni “The Wanted” vijon në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.





