Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me operacionin e policisë së Korçës dhe Forcave RENEA, të cilët për 8 orë kanë tetuar të negociojnë me 62-vjeçarin Ramiz Muçollari në Maliq, por pas një shkëmbimi zjarri, ky i fundit u vra.

“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë.

Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit.

Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, shkruan Balla.