“Beteja e shekullit” mes Elon Musk dhe Mark Zuckerberg duket se është drejt anullimit. Të dy kishin rënë dakord që dyluftimi në kafaz të zhvillohej në fund të këtij muaji. Por ka qenë Zuckerberg që në një intervistë është shprehur se “është koha për të vazhduar përpara”.

Sipas tij pronari i Tesla nuk është serioz për duelin. “Elon nuk ka konfirmuar asnjë datë, pastaj thotë se i duhet të bëjë një operacion dhe tani kërkon të bëjë një raund stërvitor në kopshtin e shtëpisë sime,” shkruajti shefi i Meta në platformën sociale Threads një ditë më parë.

“Nëse Elon bëhet serioz për një datë të vërtetë dhe event zyrtar, ai e di se si të më kontaktojë. Përndryshe, është koha për të vazhduar përpara. Do të vazhdoj të fokusohem të konkurroj me njerëz që e marrin këtë sport seriozisht”.

Zuckerberg është një praktikues i arteve marciale, kryesisht i jiu-jitsu dhe ka fituar edhe medalje në një kompeticon të zhvilluar për këtë sport në Kaliforni në muajin maj.

Një javë më parë Elon Musk shkroi në Twitter se dyluftimi i tyre do të transmetohej live në X (twitter). Ideja e këtij dueli lindi në muajin qershor, kur Meta lançoi Threads një platformë sociale e re, e cila shihet si konkurruese e Twitter.