KUKES – Në pikat e kalimit kufitar me Kosovën vazhdon largimi i emigrantëve që po kthehen në vendet e tyre të punës. Një gjë e tillë vihet re veçanërisht në fluksin në rritje të shtetasve kosovarë që hyjnë në Shqipëri përmes doganës së Morinit, ku pjesa më e madhe e tyre lëvizin drejt vendeve të tjera përmes aeroportit “Nënë Tereza”, apo nga Durrësi përmes trageteve.
“Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 6500 shtetas të huaj dhe 760 shtetas shqiptarë, ndërsa pritet që në ditët e ardhshme fluksi i hyrjes të vijë duke u rritur deri në fundjavë”, – pohojnë burime zyrtare të policisë kufitare.
Pavarësisht fluksit në rritje, nga policia kufitare dhe punonjësit e doganës janë marrë të gjitha masat me synim eliminimin e radhëve të gjata gjatë kontrollit në mjediset e doganës, duke lehtësuar lëvizjen normale të emigrantëve.
Ndërkohë, ka pasur një fluks të ulët të lëvizjes nga Shqipëria drejt Kosovës. “Gjatë 24 orëve kanë lëvizur nga Shqipëria drejt Kosovës 280 shtetas të huaj dhe 540 shtetas shqiptarë. Janë kryesisht vizitorë që lëvizin te të afërmit, apo miqtë e tyre në të dy anët e kufirit”, pohojnë burime zyrtare të policisë kufitare.
Gjatë ditëve të fundit të vitit, fluksi i hyrjes në Kosovë nga Shqipëria arriti deri në rreth 16 mijë persona në 24 orë, kryesisht shtetas kosovarë që ktheheshin pranë familjes për festat e fund vitit. Fluksi i lëvizjes në të dy anët e kufirit me Kosovën kryhet kryesisht përmes doganës së Morinit, edhe pse mes dy vendeve funksionojnë edhe 5 pika të tjera të kalimit kufitar.