Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Ardian Baloshi. Sipas informacioneve të fundit, si viktima ashtu edhe autori i dyshuar, Sadik Llanaj, rezultojnë të jenë banorë të zonës së Kamzës.

Mësohet se Ardian Baloshi ndodhej në rrugë i shoqëruar me persona të tjerë në momentin kur autori i dyshuar Sadik Llanaj i është afruar me automjetin e tij. Sapo është gjendur pranë tyre, Llanaj ka hapur zjarr duke lënë të plagosur rëndë 26-vjeçarin. Pas të shtënave, kanë qenë kalimtarët e rastit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë të riut dhe e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Ndërkohë, bëhet me dije se ngjarja nuk ka qenë krejtësisht e rastësishme. Dyshohet se mes viktimës dhe autorit ka pasur një konflikt të mëparshëm, çka duket se ka shtyrë Llanajn drejt sulmit të sotëm. Menjëherë pas kryerjes së krimit, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me të njëjtin automjet me të cilin erdhi.

Aktualisht, forcat RENEA po vijojnë operacionin në terren për lokalizimin e mjetit dhe kapjen e Sadik Llanajt, i cili dyshohet se lëviz ende i armatosur.