Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku për shkak të një borxhi të pashlyer dy persona kanë marrë peng borxhliun.

Mësohet se bëhet fjalë për shtetasit Alban Bejo dhe Fatmir Bejo të cilët në rrugën “Besim Alla” në Kombinat,, për shkak të një borxhi, kanë marrë me forcë shtetasin Gjergji Fela.

Njoftimi i Policisë Tiranë

I hoqën lirinë një shtetasi, e kanosën dhe e dhunuan atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, vihet në pranga 35-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi A. B., 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi F. B., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gj. F., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.